Murati: Rritja më e madhe ndonjëherë e pagave në sektorin publik ndodhi në qeverinë “Kurti”
Foto: Laura Hasani

Murati: Rritja më e madhe ndonjëherë e pagave në sektorin publik ndodhi në qeverinë “Kurti”

Ekonomia January 16, 2025 - 15:01

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se rritja më e madhe ndonjëherë e pagave në sektorin publik ka ndodhur në qeverinë “Kurti”.

Murati ka thënë se qeveritë e kaluara e kanë rritur buxhetin për paga për 130 milionë euro për 6 vite qeverisje, kurse sipas tij qeveria “Kurti” e ka rritur buxhetin e pagave të rregullta për 291 milionë euro për vetëm 4 vjet.

Ai ka shtuar se janë e vetmja qeveri që i kanë rritur pagat tri herë brenda mandatit, pasi, siç ka thënë, gjatë qeverisjes së tyre është rritur edhe ekonomia, e edhe punësimi si asnjëherë më parë.

“Rritja më e madhe ndonjëherë e pagave në sektorin publik ka ndodhur në qeverinë ‘Kurti’. Këtë e konfirmojnë numrat në grafikun më poshtë, të cilët paraqesin shpenzimin e buxhetit për paga nëpër vite, përfshirë edhe buxhetin e miratuar për vitin 2025. Pra shifrat zyrtare, të nxjerra nga të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë të kundërtën e asaj që shpesh dëgjohet nëpër studio televizive nga opozita apo analistët e tyre. Ata para nesh patën rritur buxhetin për paga për 130 milionë euro (64+66) për 6 vite qeverisje, kurse ne efektivisht e kemi rritur buxhetin e pagave të rregullta për 291 milionë euro për vetëm 4 vjet. Pra, qeveria ‘Kurti’ ka rritur buxhetin për paga, e rrjedhimisht edhe pagat, më shumë se dyfishi i rritjes që kanë bërë para nesh dy qeveritë bashkë: PDK-LDK dhe PDK-AAK-Nisma. Jemi qeveria e vetme që ka rritur pagat 3 herë brenda mandatit. Dhe kjo ka ndodhur sepse gjatë qeverisjes sonë është rritur edhe ekonomia, e edhe punësimi si asnjëherë më parë. Të nderuar qytetarë, kjo tregon më së miri se kush e ka seriozisht, e kush bën premtime që as vetë s’u besojnë vetëm sa për ta kapur ndonjë votë”, ka shkruar ai ndër të tjera në Facebook.