Bislimi nis vizitën në SHBA, takohet me zëvendësdrejtorin e FMN-së
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takua me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li.
Përmes një njoftimi nga Qeveria, bëhet e ditur se gjatë këtij takimi Bo Li përgëzoi Qeverinë e Kosovës për punën e saj të mirë në fushën e zhvillimit ekonomik, duke theksuar rritjen e qëndrueshme ekonomike, menaxhimin e mirë fiskal dhe implementimin e reformave strukturore.
“Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FMN-së dhe Kosovës, si dhe përgëzoi Qeverinë për suksesin në zbatimin e programeve Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF)”.
“Duke e falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi z. Bo Li mbi zhvillimet më të fundit në vend, duke theksuar se trendet e mira ekonomike nga vitet e mëparshme, kanë vazhduar edhe këtë vit. Ndër të tjera, ai përmendi rritjen e eksporteve, atë të investimeve të huaja direkte, dhe uljen e inflacionit. Ai po ashtu theksoi se të hyrat dhe shpenzimet buxhetore janë rritur në masë të konsiderueshme, ndërsa është forcuar tutje qëndrueshmëria fiskale”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se palët diskutuan për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe angazhimin e përbashkët për zbatimin e programeve dhe projekteve të ardhshme. /Zëri