Ku do të shpenzohet buxheti i Kosovës i vitit 2025
Miliona euro në investime kapitale ka planifikuar t’i shpenzojë Qeveria vitin tjetër. Në projektligjin për ndarjet buxhetore, që tashmë pret miratimin në Kuvend, në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh, investimet kryesore përfshijnë ndërtimin e zonave ekonomike, infrastrukturën rrugore dhe ndërtime të reja për sektorin e shëndetësisë dhe arsimit.
Janë ndarë mjete për blerje të automjeteve të blinduara dhe pajisje speciale për Policinë e Kosovës. Për Këshillin e Sigurisë, Qeveria ka planifikuar 1.5 milion euro për krijimin e hapësirave mbështetëse, ndërsa Ministria e Arsimit do të investojë në çerdhe dhe shkolla. Po ashtu disa miliona do të shpenzohen edhe në blerje të ambasadave nëpër botë.
Projektbuxheti për vitin 2025 në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, tanimë është në dorën e deputetëve të Kuvendit për miratim, për çka kanë afat deri në fund të vitit.
Sipas këtij projektligji, Kuvendi, si organi më i lartë ligjvënës, për vitin 2025 ka paraparë që të furnizohet me skaner Xrey në vlerë prej 70 mijë euro.
Zyra e kryeministrit në planifikimin buxhetor ka listuar vetëm një blerje. Bëhet fjalë për pajisje të teknologjisë informative, për çka planifikojnë t’i shpenzojnë 50 mijë euro nga buxheti i ndarë. Ndërsa do të përkrah një projekt prej 1.5 milionë euro për Këshilli i Sigurisë i Kosovës, që sipas projektligjit për vitin 2025 do të shpenzohen për krijimin e hapësirës për strukturat mbështetëse.
Në vitin e ardhshëm, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka paraparë që për ndërtimin e zonave ekonomike nëpër Kosovë të shpenzojë mbi 7.7 milionë euro.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka planifikuar që për ndërtimin e mbikalimeve dhe nënkalimeve në rrugët nacionale dhe regjionale të shpenzojë 1 milion euro nga buxheti i saj.
Për rehabilitimin e rrugëve, kjo ministri ka paraparë që do të shpenzojë 66 milionë e 150 mijë euro (66,150,016), për projektet e bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale 50 milionë e 198 mijë euro (50,198,940) dhe për ndërtimin e rrugëve të reja rreth 28 milionë e 708 mijë euro (28,708,337).
Tutje, ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës sipas projektligjit ka ndarë 1 milion euro për ndërtimin e shtëpive në pjesën veriore të vendit.
Ndërtime të objekteve të reja ka planifikuar Ministria e Shëndetësisë. Kështu për vitin 2025, sipas planifikimit buxhetor, pritet ndërtimi i një QKMF-je në Ferizaj në vlerë prej 950 mijë euro, një tjetër në Istog mbi 650 mijë euro (652,639), një QKMF në Drenas 980 mijë euro, në Shtime 300 mijë euro dhe ndërtimi i QKMF-së së re në Fushë Kosovë që është paraparë të kushtoj 700 mijë euro.
Në projektet kapitale të nivelit qendror është renditur edhe ndërtimi i objektit të spitalit në Ferizaj për çka nga buxheti do të ndahen mbi 6.7 milionë euro (6,726,000).
Vitin e ardhshëm, Ministria e Arsimit ka planifikuar ndërtimin e çerdheve në Fushë-Kosovë, Malishevë, ndërsa ka planifikuar ndërtimin e çerdheve modulare në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Prizren, Gjakovë. Ministri ka planifikuar buxhet për shkollat në vlerë prej rreth 35 milionë euro (34,967,054 ).
Blerje për Policinë e Kosovës i ka listuar Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas projektligjit për buxhet, 3.7 milionë euro do të shpenzohen për automjete të blinduara dhe automjete të veçanta, 2.8 milionë euro për armë dhe pajisje special për policinë, 800 mijë euro për pajisje dhe armë për kontroll dhe siguri kufitare, 3 milionë e 450 mijë euro për automjete transporti dhe mbi 3.7 milionë euro për pajisje policore logjistike.
Kosova planifikon që vitin e ardhshëm të blej ambasada nëpër shtetet e jashtme. Për këtë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ndarë mbi 10.2 milionë euro (10,255,000). /rtk