Murati: Hapet aplikimi për Programin e subvencionimit të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se është hapur aplikimi për Programin e subvencionimit të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm.
Murati ka thënë se të drejtë aplikimi kanë të gjitha familjet rezidente në Kosovë dhe që plotësojnë këto kushte:
– Kanë të ardhura* mesatare mujore prej më pak se 150 euro për anëtar. Pra një familje 4-anëtarëshe duhet të ketë më pak se 600 euro të ardhura mujore, dhe
– Kanë në pronësi më pak se 100.000 euro vlerë të paluajtshmërive.
Murati ka dhënë një sqarim për të ardhurat mesatare mujore.
“* Në llogaritjen e të ardhurave nuk përfshihen të ardhurat nga pensioni për aftësitë e kufizuara (verbër, para/tetraplegjikë), pensioni për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës, pensioni për viktimat civile të luftës, pensioni për invaliditet në punë, dhe të ardhurat nga skema e asistencës sociale”.
Ai ka thënë se familjet që kualifikohen do të subvencionohen direkt në faturë gjatë 6 muajve të dimrit dhe lartësia e subvencionit do të varet nga numri i anëtarëve dhe niveli i të ardhurave mesatare të familjes por nuk mund të kalojë 50 euro në muaj.
“Për familjet që kualifikohen, subvencioni do të paguhet direkt në faturë, përgjatë 6 muajve të stinës së dimrit, pra për periudhën tetor 2024 deri mars 2025. Lartësia e subvencionit do të varet nga numri i anëtarëve dhe niveli i të ardhurave mesatare të familjes, por nuk mund të tejkalojë 50 euro në muaj”.
“Aplikimi mund të bëhet në eKosova, te shërbimi ‘Grante dhe subvencione’ dhe do të jetë i hapur në vazhdimësi përgjatë programit. Në mënyrë që të përfitoni që nga muaji i parë, duhet të aplikoni më së largu deri më 31 tetor. Aplikimet që bëhen pas fundit të muajit, mund të përfitojnë vetëm nga muaji pasues e tutje”.