Deliu: Minatorët e “Trepçës” ende pa rroga, ministra e deputetë po shkojnë në Ujman dhe s’angazhohen për zgjidhje të situatës
Foto: Laura Hasani

Deliu: Minatorët e “Trepçës” ende pa rroga, ministra e deputetë po shkojnë në Ujman dhe s’angazhohen për zgjidhje të situatës

Ekonomia July 30, 2024 - 08:57

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka bërë një reagim lidhur me mosekzekutimin e pagave për muajin qershor për minatorët e “Trepçës”.

Deliu, përmes një reagimi në Facebook, thotë se situata në të cilën ndodhën minatorët po injorohet nga të gjithë.

“Këta janë minatorët e ‘Trepçës’. Data 29 korrik, ende pa rroga. Situata në të cilën ndodhen po injorohet nga të gjithë. Derisa ministra, deputetë e aktivistë të pushtetit po shkojnë çdo ditë në Ujman e në pjesën veriore të Kosovës me polici e bodyguarda, asnjëri prej tyre s’ka angazhim për zgjidhje të situatës së tyre”, pohoi ajo.

Ndryshe, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës”, përmes një reagimi publik, ka bërë të ditur se minatorët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor.

Në reagimin e tyre thuhet se Qeveria nuk ka aspak interesim për fatin e minierës dhe minatorëve.

“Tani që ndodhemi në fundin e muajit Korrik, minatorët ende nuk i kanë marrë as pagën e muajit qershor. Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen Trepça SH.A., janë vetëm fjalë boshe dhe asgjë tjetër”, thuhet në reagim.