Ibrahimi: MFPT-ja ua ka bllokuar dhjetëra-miliona euro komunave nga të hyrat vetjake
Niveli qendror nuk është duke i bartur mjetet financiare që u takojnë me ligj komunave e që në pyetje janë dhjetëra miliona euro, kështu ka thënë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Ai ka thënë se bartja e këtyre mjeteve duhet të zbatohet nga niveli qendrori, që sipas tij është duke i zvarritur këto procese, të cilat po kanë ndikim negativ në nivelin lokal.
“Në bazë të vlerësimeve e informatave që kemi, kemi të bëjmë me dhjetëra miliona euro që këto mjete i takojnë me ligj komunave. Mirëpo bartja e këtyre mjeteve duhet të zbatohet nga niveli qendror dhe niveli qendror po i zhagit këto procese të cilat po kanë ndikim negativ te niveli lokal”, ka thënë Ibrahimi.
Ai shton se mungesa e procesimit të këtyre mjeteve buxhetore po iu shkakton komunave probleme në zbatimin e projekteve kapitale.“Bordi i Asociacionit ka kërkuar dje nga Ministria e Financave që tejkalimet buxhetore të vitit 2023 të barten në nivelin lokal sepse ato mjete janë të komunave. Nuk ka nevojë Ministria e Financave t’i mbajë ato mjete financiare në nivelin qendror sepse ato i takojnë me legjislacionin në fuqi komunave. Dhe tash çdo zhagitje, çdo pengesë e cila po paraqitet në vazhdimësi nga niveli qendror, sa i përket shfrytëzimit të mjeteve nga të hyrat vetanake komunave po iu shkakton probleme në zbatimin e projekteve kapitale. Dhe po e ritheksojë këtu kemi të bëjmë me dhjetëra-miliona euro, d.m.th ato mjete financiare nuk po mund të shfrytëzohen për zbatimin e projekteve, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejt ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit. Shumica absolute e këtyre mjeteve shfrytëzohet për ndërtimin e rrugëve lokale, kanalizimeve, gjelbërimeve nën ndriçim publik d.m.th në të gjitha fushat ku komunat janë kompetente dhe niveli qendror po paraqet pengesë sa i përket zbatimit të këtyre projekteve dhe kjo është duke ndodhur këtë vit”, ka shtuar Ibrahimi në një prononcim për Ekonominë Online.
Ibrahimi ka thënë gjithashtu se vonesa në dhënien e mjeteve buxhetore ka ndodhur edhe viteve paraprake.
“Kjo është duke ndodhur këtë vit, dhe viteve të kaluara ka pas vonesë nga niveli qendror edhe pse me legjislacionin në fuqi aty thuhet decedivisht, sidomos në këtë vit që mjetet me të hyrat vetanake barten në mënyrë automatike të komunat. Ministria e Financave po paraqet pengesë dhe për këtë arsye komunat e Kosovës kërkojnë edhe një herë nga niveli qendror që çdo euro e cila i takon me ligj nivelit lokal, të bartet sa më shpejt nga niveli qendror në nivelin lokal, sepse po paraqet probleme në zbatimin e shumë projekteve të cilat shkojnë në dobi drejtpërdrejt të qytetarit”, tha Ibrahimi.
I njëjti ka thënë se ditën e djeshme, pas reagimit të Bordit, një shifër e konsiderueshme e mjeteve buxhetore i janë lëshuar Komunës së Prizrenit.
“Pas reagimit tonë të djeshëm komunës së Prizrenit i janë lëshuar rreth 2.5 milionë euro d.m.th. pse duhet gjithmonë që të reagojmë të kërkojmë diçka në emër të komunave në mënyrë që niveli qendror t’i hap sytë kemi pas zhagitje të jashtëzakonshme këtë vit sa i përket bartjes së mjeteve financiare nga të hyrat vetanake dhe pse komunat i kanë marrë këto vendime me kohë”, tha Ibrahimi.