Kurti: Kosova udhëheq në Ballkanin Perëndimor për nga rritja ekonomike e sundimi i ligjit
Foto: Laura Hasani

Kurti: Kosova udhëheq në Ballkanin Perëndimor për nga rritja ekonomike e sundimi i ligjit

Ekonomia June 11, 2024 - 10:44

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në samitin “The Western Balkans 2024” ka theksuar se Kosova është në krye për rritjen ekonomike dhe sundimin e ligjit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kurti gjithashtu ka vlerësuar investimet e huaja në sektorë të ndryshëm si kultura, sporti, shëndetësia dhe arsimi si një shenjë pozitive për të ardhmen e vendit.

“Kosova po udhëheq për rritje ekonomike dhe sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor… Kosova ka shumë për t’i ofruar Bashkimit Evropian për siguri e partneritet, duke e forcuar demokracinë, zhvillimin ekonomik e mund të krijojë një rajon që është i zhvilluar dhe lulëzon”, tha kryeministri Kurti.

Duke fokusuar në perspektivën evropiane, Kurti ka thënë se Kosova është e përgatitur të ofrojë siguri dhe partneritet për Bashkimin Evropian, duke e forcuar demokracinë dhe zhvillimin ekonomik.

Ai ka shprehur bindjen se bashkëpunimi i ngushtë me fqinjët nën kujdesin e BE-së do të ndihmojë në tejkalimin e sfidave të përbashkëta dhe në rritjen e prosperitetit në rajon.

Në përfundim, Kurti ka inkurajuar bashkëpunimin dhe unitetin si faktorë kyçë për një të ardhme të ndritur në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar nevojën për tejkalimin e paragjykimeve historike dhe për pajtimin e dialogut si rrugë përpara për të gjitha komunitetet në rajon.

“Duke punuar ngushtë me fqinjët nën ombrellën e BE-së, mund të shikojmë sfidat e përbashkëta dhe mundësitë e tjera, bashkëpunimi dhe uniteti janë çelës i prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Një nga sfidat më të mëdha është tejkalimi i paragjykimeve historike dhe konflikteve që e kanë nda rajonin tonë për një kohë shumë të gjatë. Megjithatë unë jam me shpresë që njerëzit e Ballkanit Perëndimor kanë demonstruar një kapacitet të jashtëzakonshëm për pajtim të dialogut. Komunitetet në Kosovë po bashkohen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe ky shpirt i bashkëpunimit do të vazhdojë të lulëzojë”, deklaroi mes të tjerash ai.

Ndryshe, në samit janë duke marrë pjesë edhe Matteo Renzi ish-kryeministri i Italisë, Liburn Aliu ministër i Mjedisit, George Robertson ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s, Jeffrey Hovenier ambasador i SHBA-së në Kosovë, Tomas Szunyog shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.