“Trepça” kërkon kthimin e pronave brenda 30 ditëve
Ndërmarrja “Trepça” SHA ka dalë sot me një kërkesë publike për kthimin e pronave.
Në kërkesë thuhet se pronat që do të rikthehen brenda 30 ditëve, disa prej tyre do t’i lëshojë me qira e disa do t’i përdorë për zhvillimin e kapaciteteve të reja, transmeton Zeri.info.
“Kërkojmë nga të gjitha subjektet juridike dhe fizike, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjitha subjektet tjera që me ose pa dijeni janë duke i shfrytëzuar pronat e paluajtshme të ‘Trepça’ SHA, që në afatin 30-ditor (deri më 10.07.2024) të na kontaktojnë në zyrat tona në objektin e menaxhmentit (Parku industrial në Mitrovicë)”, thuhet në kërkesën ndërmarrjes “Trepça”.
Kërkesa e plotë:
Kjo pasuri e artë e Republikës së Kosovës!
T’ia kthejmë “Trepçës” pasurinë e saj
“Trepça” SHA është shoqëri aksionare e formuar me Ligjin për “Trepçën”, e cila veprimtarinë e saj e bazon në legjislacionin në fuqi. Menaxhmenti i tanishëm është duke u angazhuar me seriozitetin maksimal në ringritjen e saj drejt një gjiganti ekonomik. Po punojmë në rishikimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për rivitalizimin e “Trepçës” si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik. Në të njëjtën kohë së bashku me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe zyrat regjionale kadastrale jemi duke siguruar dëshmi për pronësinë e “shoqërisë”.
Të gjitha këto prona do t’i kthehen në shfrytëzim ndërmarrjes, me ç’rast disa prej tyre do t’i lëshojmë me qira e disa do t’i përdorim për zhvillimin e kapaciteteve të reja.
Me qëllim të realizimit të këtyre objektivave, në rend të parë kthimin e pronave tek pronari, Menaxhmenti i “Trepçës” SHA ka vendosur që t’i drejtohet opinionit publik me një kërkesë:
“Kërkojmë nga të gjitha subjektet juridike dhe fizike, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjitha subjektet tjera që me apo pa dijeni janë duke i shfrytëzuar pronat e paluajtshme të ‘Trepçës’ SHA që në afatin 30-ditor (deri më 10.07.2024) të na kontaktojnë në zyrat tona në objektin e menaxhmentit (Parku industrial në Mitrovicë)”.
Bashkëpunimi juaj do të na kursejë kohën dhe shkurton procedurat gjyqësore deri në realizimin e së drejtës sonë.
Menaxhmenti i “Trepçës” SHA