Ministria e Bujqësisë ndan 8.5 milionë euro për sektorin e bletarisë

Ministria e Bujqësisë ndan 8.5 milionë euro për sektorin e bletarisë

Ekonomia May 20, 2024 - 15:42

Mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për sektorin e bletarisë përmes subvencioneve dhe granteve ka arritur në 8.5 milionë euro.

Kjo mbështetje është bërë e ditur sot nga ministri i BPZHR-së, Faton Peci, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Bletës, i cili ka vizituar edhe bletarin Bajram Bajrami nga fshati Berivojcë i komunës së Kamenicës, që posedon 700 koloni të bletëve, në rreth 400 koshere, të shpërndara në 13 parqe të ndryshme.

Gjatë vizitës së këtij bletari, Peci ka parë më nga afër se në këtë fermë plotësohet zinxhiri i vlerës nga prodhimi dhe përpunimi i produkteve dhe nënprodukteve të mjaltës deri edhe te përpunimi i helmit të bletës, si një ndër produktet kyçe për përdorim në mjekësi.

“Bletarinë si një ndër sektorët më me potencial në vend po e mbështesim përmes subvencioneve dhe granteve, duke ndikuar në këtë mënyrë zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të kësaj veprimtarie bujqësore”, ka thënë Peci.

Mes të tjerash, ai ka marrë shembull bletët, duke thënë se duhet të ndjekim shembullin e tyre drejt krijimit të politikave zhvillimore në favor të fermerëve tanë dhe zhvillim ekonomik të vendit.

“Ashtu siç bletët punojnë në grup dhe për të mirën e përgjithshme të kolonive, ashtu edhe ne si shoqëri duhet të ndjekim shembullin e tyre drejt krijimit të politikave zhvillimore në favor të fermerëve tanë dhe zhvillimit ekonomik të vendit”, përfundoi Peci në profilin e tij zyrtar në Facebook. /Zëri