Zyrtarët e BQK-së në Washington, për ta forcuar bashkëpunimin me Bankën Rezervë Federale
Mbahet takimi i nivelit të lartë mes Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe Bankës së Rezervës Federale në Washington D.C., qëllimi kryesor i këtij takimi thuhet të jetë forcimi i bashkëpunimi mes dy bankave qendrore.
“Në takimin e zhvilluar me ekipin e FED-it të New Yorkut, delegacioni i BQK-së nënvizoi bashkëpunimin ndërmjet dy bankave qendrore, duke përfshirë programet e ngritjes së kapaciteteve në mbështetje direkte që nga themelimi i BQK-së”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Ndërkaq ky delegacion potencoi përgjegjësinë e BQK-së në menaxhimin e të gjitha rezervave në Dollarë Amerikan (USD) me Rezervën Federale, si edhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve bankare korrespondente ndërmjet dy institucioneve.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, në këtë takim shprehu përkushtimin e BQK-së për të mbajtur lidhje të forta me FED-in, si edhe njohjen e rolit të saj kryesor në asistencën e menaxhimit të rezervës ndërkombëtare e partneriteteve strategjike, duke përfshirë praktikat më të mira për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Në njoftimin e BQK-së thuhet se këto angazhime vënë në pah përkushtimin e bankës së Kosovës për të avancuar më tej këtë mision.
“Këto angazhime vënë në pah përkushtimin e BQK-së për të nxitur partneritete të qëndrueshme me akterët kryesorë ndërkombëtarë, duke avancuar më tej misionin e institucionit për promovimin e stabilitetit financiar dhe ndikimin e qëndrueshëm në ekonomi, pasi ne vlerësojmë partneritetin strategjik ndërmjet dy kombeve dhe institucioneve”, thuhet në njoftim.
Takimi paraprak është mbajtur gjatë qëndrimit të delegacionit të BQK-së në Washington D.C., për takimet pranverore me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Botërore (BB), si dhe institucionet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Zëri