Shpallen fituesit e tenderëve për ndërtimin e 20 kilometrave të rrugës Prizren - Tetovë, kostoja 30 milionë euro

Shpallen fituesit e tenderëve për ndërtimin e 20 kilometrave të rrugës Prizren - Tetovë, kostoja 30 milionë euro

Ekonomia April 04, 2024 - 15:17

Ministria e Infrastrukturës ka shpallur kompanitë fituese të tenderit për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë, deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut, të ndarë në tri lote. Vlera totale e tri kontratave është mbi 30 milionë euro, bëhet fjalë për 20 km e 350 metra.

Sipas studimit të fizibilitetit apo të vlerësimit për rrugën e ka bërë tashmë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës (MMPHI), rruga si tërësi do të jetë rreth 50 kilometra e gjatë dhe do të përfshijë një tunel prej 6.4 kilometrash. Kostoja totale e projektit parashihet të jetë rreth 200 milionë euro.

Në dosjen e tenderit për këtë rrugë, Ministria e Infrastrukturës ka rekomanduar për kontratë konsorciumet “4 A-M: PREMIUM BETON SHPK; GPG Company SHPK”, konsorciumin “Pricom SHPK; Mataf Insaat Ticaret A.S; FS C ING SHPK; Jaha Solar” dhe koncorsiumin “EUROKOS HOLDING SHPK; ALFA.i; EL-BAU SHPK; Agim Morina B.I; NNSH WORLD MEDIUM: Adnan Bislimi B.I”.

Konsoriumit të parë i është dhënë kontrata për Lotin 1, në vlerë prej 8 milionë euro. Shuma më e lartë është për Lotin 2, që i është dhënë konsorciumit të dytë për 15 milionë e 605 mijë e 675 euro. Ndërkohë, për Lotin 3 kontrata është në vlerë 8 milionë e 346 mijë e 804 euro. Për Lotin 1 dhe 3, ka pasur edhe oferta më të lira se të konsorciumeve me të cilat është rekomanduar lidhja e kontratave.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate, sipas dosjes së tenderit, ka qenë 35 milionë euro. 8 milionë e 900 mijë euro parashikohej Loti 1, 17 milionë e 700 mijë euro Loti 2 dhe 8 milionë e 400 mijë Loti 3.

Ndryshe, në janar të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren - Tetovë.

Financimi i këtij projekti, përfshirë ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, do të ndahet proporcionalisht në përputhje me gjatësinë e tij në secilën anë, ndërsa projektimi i secilës pjesë para dhe pas tunelit do të jetë i financuar nga palët përkatëse.

“Kjo rrugë krijon një lidhje të sigurt dhe të qëndrueshme mjedisore të transportit për njerëz dhe mallra, duke forcuar edhe ndërlidhjen midis parqeve kombëtare, destinacioneve turistike dhe korridoreve rrugore në mes Republikës tonë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq, si lidhje e dy rrugëve në pikën më të afërt mes tyre, përveç se i ofron dy qytetet dhe dy shtetet tona, gjithashtu mundëson krijimin e një korridori rrugor të ri me ndikim në skenën rajonale të Ballkanit, duke i lidhur jo vetëm Prizrenin me Tetovën, por edhe Prishtinën me Durrësin dhe Tiranën, përmes autostradës ‘Ibrahim Rugova’”, kishte deklaruar ministri Liburn Aliu. /express