Dhoma e Tregtisë: BQK-ja largon tarifën për depozitimin e monedhave metalike
Foto:Laura Hasani

Dhoma e Tregtisë: BQK-ja largon tarifën për depozitimin e monedhave metalike

Ekonomia April 01, 2024 - 11:43

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka njoftuar se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka larguar tarifën nga BQK-ja për depozitimin e monedhave metalike.

“Në përgjigjen zyrtare të pranuar nga Banka Qendrore e Kosovës drejtuar DHTIK-së sqarohet se tashmë bizneset nuk detyrohen të paguajnë një tarifë të tillë gjatë depozitimit të monedhave metalike, ndërsa me kërkesë të BQK-së dhe me dakordim paraprak me drejtuesit e bankave komerciale, të njëjtën praktikë e kanë zbatuar të gjitha bankat komerciale në vend”, thuhet në njoftimin për media.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka theksuar se tash e disa vite vazhdimisht ka kërkuar dhe zhvilluar takime e aktivitete të vazhdueshme, duke kërkuar që tarifa për valutat metalike për bizneset të cilëve iu janë ndaluar 3.7%, 5%, 8% e shumë së dorëzuar gjatë depozitimit të monedhave metalike nga qarkullimi i tyre, të largohet sepse kjo tarifë ka dëmtuar rëndë bizneset, të cilat operojnë me monedha metalike.

“Si shembull për ilustrim po sqarojmë se para ndryshimit të tarifës për depozitimin e monedhave metalike nga BQK-ja, për dorëzimin e 10.000 eurove para metalike në bankat komerciale, biznesit i janë ndaluar 370 deri në 500 euro.

Bizneset që janë afektuar më së tepërmi nga kjo tarifë ishin furrat e bukës, marketet, dyqanet e vogla etj., që më së shumti kanë punë me monedha metalike, e të cilat operojnë me marzha shumë të ulëta të fitimit, andaj aplikimi i kësaj tarife ka shkaktuar një barrë të madhe për këto biznese”, thuhet në njoftim.