Zëvendësguvernatorja e BQK-së: Përfshirja financiare e grave ndërmarrëse, investim për të ardhmen
Foto: Laura Hasani

Zëvendësguvernatorja e BQK-së: Përfshirja financiare e grave ndërmarrëse, investim për të ardhmen

Ekonomia March 21, 2024 - 11:08

Zëvendësguvernatorja e Bankës Qendrore të Kosovës, Nesrin Shileku-Shala, ka deklaruar se angazhimi i BQK-së në përfshirjen financiare të grave ndërmarrëse është një investim për të ardhmen.

Këtë e ka bërë të ditur në konferencën “Qasja në financa për gratë ndërmarrëse”, aktivitet i përbashkët i BQK-së me Asociacionin e Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës.

Shileku-Shala tha se një qasje të shumanshme ndaj përfshirjes financiare, BQK-ja, sipas saj, po kontribuon një të ardhme më të ndritshme ekonomike për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të mandatit të saj kushtetues e ligjor, dhe përmes strategjisë së saj është e përkushtuar që të avancoj kornizën rregullative dhe infrastrukturën mbikëqyrëse me qëllim të harmonizimit me legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Evropian dhe mbështetjes se nismave që rrisin qasjen në financa dhe qëndrueshmërinë”, deklaroi Shileku-Shala.

Sipas saj, arritja e përfshirjes financiare dhe qasjes në financa për gratë kërkon një përpjekje kolektive.

“Sektori financiar, sidomos bankat, institucionet mikrofinancaire por edhe institucionet financiare jo-bankare ofrojnë mundësi, si dhe produkte e shërbime te cilat ju dedikohen grave ndërmarrëse. Gratë ndërmarrëse kanë nevojë për më shumë trajnime dhe aktivitete në këtë drejtim nga akterët e sektorit financiar dhe përtej. Kontributi i institucioneve të sektorit financiar do të duhej të ishte më i madh në edukimin e grave sa i përket edukimit dhe trajnimit për shërbimet dhe mundësitë financiare që do rriste edhe portfoliot respektive të institucioneve financiare, dhe do të kontribuonte pozitivisht edhe në shëndetin e përgjithshëm financiar të sektorit”, ka shtuar ajo. /EO