“Greqia destinacioni më i preferuar”, AKB-ja: Mbi një milion euro kosovarët shpenzojnë për fundjavë atje
Foto: Laura Hasani

“Greqia destinacioni më i preferuar”, AKB-ja: Mbi një milion euro kosovarët shpenzojnë për fundjavë atje

Ekonomia March 12, 2024 - 14:05

Nga liberalizimi i vizave për Kosovën më së shumti po përfitojnë shtetet që tradicionalisht ishin të vizituara nga kosovarët deri rreth viteve ’91, thuhet në një studim të Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Sipas studimit, mbi 1 milion euro kosovarët shpenzojnë për vikend në Greqi.

“Greqia po bëhet vendi më i preferuar i kosovarëve për të vizituar gjatë javës, sidomos pas janarit të këtij viti, që mesatarisht në javët e kaluara kanë ikur mbi 2500 vizitorë për vikend për të vizituar Selanikun dhe vendet të tjera të Greqisë, mesatarisht po shpenzojnë mbi 1 milion euro për konsum, sigurime të makinave dhe blerë sipas një studimi të AKB-së”, thuhet në njoftimin për media.

AKB-ja më tej thekson se këtë po e bëjnë të mundur edhe organizimet e ndryshme me autobus të disa kompanive dhe agjencive turistike me oferta të lira nga Kosova për të shkuar në Selanik për vetëm tetë euro.

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, por ky shtet ka Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë. Përveç Greqisë, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur as anëtaret e BE-së: Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Spanja.

Sa u përket marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Athinës zyrtare, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se Greqia ka mbështetur Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si dhe mbështet vendimin për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian të Kosovës. /Zëri