Murati takohet me Cummingun, diskutojnë për thellimin e ndërveprimeve ekonomike

Murati takohet me Cummingun, diskutojnë për thellimin e ndërveprimeve ekonomike

Ekonomia March 01, 2024 - 12:11

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, prit sot në takim zëvendësshefin për Ekonomi në Zyrën për Zhvillim dhe Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO), Fergus Cumming.

Sipas një njoftimi nga kjo ministri, në takimin dypalësh u diskutua thellimi i ndërveprimit ekonomik në mes dy vendeve, si dhe u përmendën disa sektorë potencialë për investime, përcjell Klankosova.tv.

“Gjatë takimit, ministri Murati e njoftoi Cummingun për disa nga prioritetet e Qeverisë, siç janë rritja e punësimit dhe krijimi i kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Rritja ekonomike, si dhe thjeshtimi i procedurave tatimore në vitet e fundit u konsideruan si tregues për përshtatshmërinë e Kosovës në tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Fokus i takimit ishte gjithashtu thellimi i ndërveprimit ekonomik mes dy vendeve, ku u përmendën disa sektorë potencialë për investime përfshirë: minierat, kapacitetet e reja energjetike, teknologjinë e informacionit, si dhe industrinë e përpunimit të drurit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Cummingu e vlerësoi potencialin e Kosovës për bashkëpunim të ndërsjellë, duke theksuar nevojën për rritje të tregtisë dypalëshe.

Ndër të tjera, Cummingu premtoi vazhdim të mbështetjes ndaj Kosovës drejt një zhvillimi gjithëpërfshirës ekonomik.

Të dyja palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të cilat janë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe për rritje të vëllimit tregtar në mes të dyja vendeve.