BERZH: Samiti i Ballkanit Perëndimor mbahet më 26 shkurt në Londër
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të organizojë më 26 shkurt Samitin e Ballkanit Perëndimor për vitin 2024 në Londër.
“Në këtë aktivitet do të marrin pjesë të gjashtë krerët e qeverive nga rajoni, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë e mundshme për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare”, thuhet në njoftim.
BERZH ka bërë të ditur se në këtë ngjarje do të ketë një sesion interaktiv të kryeministrave, të cilin e konsideron si pikë kryesore.
“Duke qenë se tranzicioni i gjelbër është prioriteti kryesor i Bankës në rajon, do të ketë një panel të veçantë për Energjinë e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor, i cili do të bashkojë politikëbërësit kryesorë në nivel ministror dhe investitorët për një diskutim mbi maksimizimin e mobilizimit te kapitalit privat. për të përshpejtuar dekarbonizimin e rajonit”, thuhet në njoftim.
Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji. Samiti inaugurues i Ballkanit Perëndimor ishte mbajtur dhjetë vjet më parë, në shkurt 2014 dhe për herë të parë ishin mbledhur të gjithë kryeministrat e rajonit.
“Ballkani Perëndimor është një regjion me prioritet për BERZH që përfshin Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Banka Europiane është një nga investitorët më të mëdhenj institucional në regjion, duke investuar më shumë se 18 milardë euro atje deri më sot”, thuhet në njoftimin e BERZH-it.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka udhtuar për në Londër ku do të marr pjesë në këtë samit .
“Ai, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024 të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.