Qeveria “Kurti” ka dështuar me skemat pensionale dhe reformat sociale, thotë Tahiri
Foto:Laura Hasani

Qeveria “Kurti” ka dështuar me skemat pensionale dhe reformat sociale, thotë Tahiri

Ekonomia February 22, 2024 - 10:11

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverinë “Kurti” për shpërndarjen e mjeteve në kuadër të skemave pensionale, si dhe për reformat sociale.

Sipas tij, këto mjete janë ndarë pa kritere dhe pa koncept, gjë që sipas tij ka ndikuar që ky projekt të dështojë, raporton Zeri.info.

“Në buxhetin e vitit 2024 ndarja buxhetore për skema pensionale është diku rreth 550 milionë euro, ndërsa për skema sociale diku rreth 158 milionë euro. Pra, kjo qeveri ka dështuar me skemat pensionale dhe reformat sociale, të cilat tani më janë tejet parciale, karshi nevojës për një qasje të integruar për reformë”, u shpreh Tahiri.

Deputeti i AAK-së ka thënë se pasojat nga ky dështim do të jenë afatgjatë dhe shtytje për në migrim.

“Pasojat janë afatgjatë, madje indikative për shtytje në migrim. Pasiguria sociale, mungesa e sigurimit shëndetësor si dhe pabarazia janë rritur. Shto këtu edhe se dialogu social ka arritur në pikën më të ulët.

Për këtë, si Grup Parlamentar, kemi zhvilluar një seri diskutimesh me sindikatat. E, mbesim të vendosur të shtyjmë përpara në Kuvend, nisma legjislative që kthejnë vëmendjen e institucioneve ndaj qytetarëve, në veçanti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e ligjit diskriminues të përvojës së punës, ndaljen e tendencës përjashtuese të veteranëve nga përllogaritja e pensionit në nivel të pagës minimale, kërkesat e vazhdueshme për ngritje pagash, e së fundi kërkesa për seancë për trajtimin e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore”, shkroi ai në Facebook. /Zëri