Kurti: Buxheti i komunave këtë vit 40% më i lartë, asnjë komunë nuk favorizohet
Foto:ZKM

Kurti: Buxheti i komunave këtë vit 40% më i lartë, asnjë komunë nuk favorizohet

Ekonomia February 21, 2024 - 10:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se këtë vit buxheti për komunat në vend është më i madhi ndonjëherë.

Ai ka mohuar akuzat se po favorizohen komunat e afërta me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në një takim me kryetarët e komunave së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Kurti ka shtuar se buxheti i vitit 2024 është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak 2023, kurse për tre vjet mandat buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë.

“Buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 744 milionë euro dhe është buxheti më i lartë ndonjëherë në Kosovë. Granti për komunat e kap shumën e 284 milionë eurove, që është granti më i madh ndonjëherë në Kosovë dhe komunat si Ferizaj dhe Gjakova janë komunat që përfitojnë më shumë për investime nga Ministria e Infrastrukturës. Po dëgjojmë fjalë se komunat e afërta me pushtetin po përfitojnë më shumë, e kjo nuk qëndron aspak”, tha Kurti.