“Infrakosi” vazhdon ballafaqimin me pronat e uzurpuara tash e 20 vjet
Foto: Zëri

“Infrakosi” vazhdon ballafaqimin me pronat e uzurpuara tash e 20 vjet

Ekonomia February 05, 2024 - 08:43

Tash e 20 vjet disa prona të ndërmarrjes “Infrakos” vazhdojnë të jenë të uzurpuara. Por, ndërmarrja përmes rrugëve ligjore ka arritur të realizojë të hyra prej 23% përmes procedurave ligjore nga qiramarrja. Gjykata Komerciale ka konfirmuar se ekziston një numër i lëndëve në procedurë

Objekte e ndërtime të ndryshme biznesi po i shfrytëzojnë pronat në afërsi të hekurudhave të Kosovës. Por, disa nga to tash e dy dekada vazhdojnë të jenë të uzurpuara.

Kryeshefi Naser Krasniqi ka pohuar se “Infrakosi” vazhdon të ballafaqohet me problemet e pronave të uzurpuara.

“Çmimet janë jashtëzakonisht më të favorshme, janë pak më të lira se sa tregu, ne i kemi marr parasysh edhe rrethanat e tyre dhe gradualisht t'i edukojmë që duhet t’i kryejnë obligimet e tyre dhe ata të cilët nuk përgjigjen do të merren me procedura përmbarimore në mënyrë që ne të arrijmë t’i grumbullomë të hyrat që na takojnë”, tha Krasniqi.

Për uzurpuesit e pronave të “Infrakosit” në procedurë ligjore janë disa lëndë.

Gjykata Komerciale e Kosovës, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm i Dhomës së Shkallës së Parë, lëndë të natyrës pronësore me palë në procedurë “Infrakos”, që nga funksionalizimi i saj, ka të evidentuara gjithsej njëzetenëntë lëndë, prej tyre pesëmbëdhjetë janë zgjidhur, ndërsa katërmbëdhjetë janë të pazgjidhura, raporton RTK.

Ndërsa, 9 lëndë të kësaj natyre janë të evidentuara në Dhomat e Shkallës së Dytë, prej tyre pesë janë zgjidhur dhe katër janë në proces.

E Gëzim Gara tash e 17 vjet ka një biznes me të cilin operon në pronë të “Infrakosit”.

" Atë ditë që vjen fatura të nesërmen e bëjë pagesën, jam i kënaqur shumë. Jemi të kënaqur me qira, sa i përket çmimit”, tha Gzim Gara, pronar biznesi.

Me prona të uzurpuara “Infrakosi” ballafaqohet edhe në qytetin e Prizrenit e Pejës. Megjithatë nga ndërmarrja ka gjeneruar të hyrat më të mëdha financiare nga qiratë, edhe pse në funksion nuk është lëshuar linjës 10, pasi gjendet në rekonstruktim.