Shefi i KOSTT-it, optimist se çmimi i energjisë do të ulet falë edhe bashkëpunimit të mirë me Shqipërinë [video]

Shefi i KOSTT-it, optimist se çmimi i energjisë do të ulet falë edhe bashkëpunimit të mirë me Shqipërinë [video]

Ekonomia February 05, 2024 - 09:30

Bashkëpunimi energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë është një nga fushat që duhet të merret shembull nga çdo sektor tjetër ekonomik mes dy vendeve. Dy shtetet në vitin 2023, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit energjetik, kanë lansuar edhe bursën e parë shqiptare të energjisë, e njohur si “ALPEX”, me këtë Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë vendosur të krijojnë një treg të përbashkët.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, në emisionin “Zani im” ka thënë se ndikimi i krijimit të bursës pritet të jetë pozitiv, pasi ofron transparencë në tregun global të energjisë, e që mund të sjellë edhe ulje të çmimit të energjisë elektrike, shkruan Zeri.info.

I pyetur nëse çmimi i energjisë pritet të bjerë, Zeqiri është shprehur optimist për këtë, duke u thirrur edhe në bashkëpunimin e mirë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Çmimi i energjisë është në përgjegjësinë e ZRRE-së, e cila përcakton çmimin në bazë të tarifave, mirëpo mënyra si përcaktohet është në mes nevojës së mbulimit të kostove, pra prodhimi i energjisë kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm përmes shumë kompanive, çdo iniciativë që ka për qëllim bashkimin e tregjeve u jep mundësi më shumë palëve të kontribuojnë në tregun e energjisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në uljen e çmimit të energjisë”.

“Pra edhe bursa shqiptare e energjisë do të kontribuojë që palët në mënyrë transparente të shohin çmimin e energjisë, do të mundësojë edhe uljen e çmimit të energjisë e u mundëson edhe investitorëve privatë të investojnë në bursën shqiptare të energjisë”, tha Zeqiri në “Zani im”.

Ai u shpreh se ky projekt është tejet unik, pasi Shqipëria dhe Kosova janë vendet e dyta në Ballkanin Perëndimor që kanë lansuar bursën.

“Deri më tash ky proces është duke vazhduar shumë mirë, ne jemi të lumtur për bashkëpunimin, është një prej storieve të suksesit më të mira që mund të ndahet sa i përket bashkëpunimit energjetik Kosovë – Shqipëri”, shtoi Zeqiri. /Zëri