Sivjet Ferizaj do t’i ketë 100 mijë euro më pak për subvencione në bujqësi

Sivjet Ferizaj do t’i ketë 100 mijë euro më pak për subvencione në bujqësi

Ekonomia February 04, 2024 - 13:02

Rreth 400 mijë euro Drejtoria e Bujqësisë në Ferizaj ka paraparë në kategorinë e subvencioneve për fermerët në Ferizaj. Por, krahasuar me vitin e kaluar, sivjet do të jenë 100 mijë euro më pak. E kjo sipas komunës, vjen nga shkurtesat buxhetore që janë bërë në Ministrinë e Financave.

 “Normalisht që fermerët nuk do të furnizohen me pleh artificial azotik por Ministria e Bujqësisë e ka si kategori të investimeve këtë tek fermerët. Dhe unë po besojë që nuk do të vërehet mungesa e investimeve të drejtorisë sonë tek fermerët sepse të gjitha projektet e parapara që të implementohen do të implementohen edhe këtë vit”, tha për RTK, Burim Bajrami - Drejtor i Bujqësisë në Ferizaj.

Këtë zvogëlim të subvencioneve për bujqësi, opozita  e sheh si mosmenaxhim të mirë të mjeteve nga ekzekutivi.

“LVV e ka kundërshtuar zvogëlimin për 100 mijë euro për subvencione për komunën e Ferizajt për arsye se vitin e kaluar kanë qenë mbi 500 mijë euro e sivjet i kemi vetëm 400 mijë euro. Pra për LVV është e pa pranueshme për shkak se keq menaxhimi për këtë buxhet nga ana e ekzekutivit po i shkakton dëme në shumë sektor e siç është edhe sektori njëri prej më të rëndësishmit në komunën tonë edhe i bujqësisë”, tha Brahim Osmani, asamblist i LVV në KK të Ferizajt

Fermerët thonë se subvencioni i tyre është shumë i domosdoshëm dhe shpresojnë që të gjenden forma të ndryshme të përkrahjes.

 “Ne jemi të varur shumë prej subvencioneve dhe grandeve që i jep edhe komuna edhe Qeveria e Kosovës. Nëse këto nuk janë të mjaftueshme ose nder prehen ose nuk vazhdon me ritëm edhe në vitet e ardhshme atëherë është shumë serioze për fermerët jo vetëm të komunës së Ferizajt për të gjithë Kosovës”, tha Alberton Sahiti, fermer

Në Ferizaj këtë viti janë paraparë mbi 1 milion euro investime kapitale në bujqësi.