Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: Po rritet diferenca me sektorin privat nga 25% deri në 60%
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, përmes një reagimi publik, ka shprehur shqetësim për thellimin e diskriminimit të sektorit privat krahasuar me atë publik, ku parashihet të bëhet ngritja e pagave në sektorin publik, me çka sipas tyre po rritet diferenca me sektorin privat nga 25% deri në 60%.
Në njoftimin e bërë thuhet se “me Vendimin e fundit të marrë në mbledhjen e Qeverisë për paga, koeficienti nga njëqind e pesë (105) euro siç ishte për vitin 2023 pritet të kalojë në njëqind e dhjetë (110) euro në vitin 2024 për të punësuarit në sektorin publik, që në numër janë rreth 83 mijë persona.
“Një praktikë e tillë është premtuar se do të vazhdojë të ndiqet edhe gjatë viteve në vazhdim. Sektori privat, i cili është gjeneratori kryesor i ekonomisë së vendit e ku të punësuar janë mbi 300 mijë punëmarrës, vazhdon të mbetet në një gjendje të rëndë. Për informim për vitin 2021 paga mesatare në sektorin privat ka qenë 490 euro, përderisa në sektorin publik për vitin 2021 ka qenë 612 euro, në vitin 2022 ishte 620, ndërkaq në vitin 2023 është 730 euro, ndërsa për vitin 2024 pritet të jetë 780 euro, pra dallimi mes këtyre dy sektorëve po shkon vetëm duke u thelluar”, thuhet në reagim.
Tutje, në komunikatë thuhet se nga 25% diferenca po rritet në 60%.
“Nga popullsia në moshë pune, 61.4 % nuk janë ekonomikisht aktive, ndërsa të punësuar sipas të dhënave të publikuara në Anketën e Fuqisë Punëtore për vitin 2022 nga Agjencia e Statistikave janë vetëm 403.813 persona, ose 33.8%, ku shumica prej tyre janë të punësuar pikërisht në sektorin privat. Andaj, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon nga kryeministri dhe Qeveria e Kosovës trajtimin me prioritet edhe të sektorit privat, ashtu sikur që po trajtohet sektori publik, në mënyrë që të mos diskriminohen bizneset dhe njëkohësisht as të punësuarit e këtij sektori”.
“DHTIK po ashtu kërkon të merren parasysh kërkesat e vazhdueshme të cilat kemi përcjellë te Qeveria dhe ministritë e që deri më tani fatkeqësisht kanë hasur në vesh të shurdhër, kërkesa këto konkrete në mesin e të cilave përfshihen ndryshimi i Ligjit të Punës përkatësisht Pushimit të Lehonisë, Ligjit për Procedurat Tatimore, krijimi i ofertës konkrete për Investiorët, krijimi i arkës ‘Patriot’, ndryshimi i Ligjit për Tregti të Brendshme, kërkesa e DHTIK që TVSH-ja të paguhet në inkasim dhe jo vetëm”, thuhet në reagim.