Kurti: Rritja ekonomike në dy vite ka qenë 7.9 për qind
Foto: Laura Hasani

Kurti: Rritja ekonomike në dy vite ka qenë 7.9 për qind

Ekonomia September 23, 2023 - 22:11

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se rritja ekonomike në dy vite ka qenë 7.9 për qind.

Sipas tij, kjo rritje është më e larta se çdo herë tjetër për dy vite rresht që nga shpallja e Pavarësisë.

“Vitin e parë të qeverisjes rritja ekonomike ishte 10.7%, më e larta në historinë e vendit. Në vitin e dytë rritja ekonomike ishte 5.2% (2022). Rritja mesatare në dy vite ka qenë 7.9%, më e larta se çdo herë tjetër për dy vite rresht që nga shpallja e Pavarësisë. Trendi i rritjes ekonomike ka vazhduar edhe këtë vit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje, ai ka thënë se vlera e eksporteve në vitin 2022 është rritur për 447 milionë euro ose dyfishuar në krahasim me vitin 2020.

“Për periudhën janar-korrik të këtij viti vlera e eksporteve ka qenë 468 milionë euro, që është përafërsisht aq sa ka qenë totali i vlerës së eksporteve në vitin 2020 (474 milionë euro). Deri në fund të 2023 pritet që vlera eksporteve për herë të parë të arrijë shifrën 1 miliard euro. Si rezultat, raporti eksport-import është ngushtuar nga gati 1 me 9 sa ishte në vitin 2019, në më pak se 1 me 6 sa është aktualisht. Ndërkohë që, për herë të parë, në tremujorin e dytë të këtij viti ekonomia e vendit tonë ka tejkaluar shifrën prej mbi 400 mijë vendeve aktive të punës”, tha kryeministri.

Sipas tij, gjatë qeverisjes së deritanishme, buxhetit të shtetit i janë shtuar mbi 770 milionë euro të hyra, kurse ekonomisë 2.1 miliardë euro vlerë.

“Të hyrat tatimore janë rritur për rreth 2/3, ndërkohë që Investimet e Huaja Direkte janë dyfishuar. Trendi i rritjes së Investimeve të Huaja Direkte ka vazhduar edhe sivjet. Sipas të dhënave të Bankës Qendore të Kosovës, për periudhën janar-maj 2023 kemi 20.7% më shumë investime se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka thënë ai më tej.

Kryeministri ka thënë se këtë rritje ekonomike, qeveria e tij e ka ndarë me qytetarët duke rishpërndarë në total 842 milionë euro përmes masave të ndryshme mbështetëse për qytetarë dhe stimuluese për biznese, dhe pa krijuar borxhe të reja.

“Deficitin buxhetor në vitin 2022 e kemi ulur në nivel historik duke e zvogëluar atë për mbi -90% në krahasim me vitin 2020. Kurse inflacioni në muajin korrik ishte më i ulëti në gjithë Gadishullin Ballkanik, me vetëm 2.4%”, ka thënë në fund kryeministri Albin Kurti.