Shahini: Brenda vitit mbyllen mbi 2 mijë biznese, pasivizohen edhe më shumë
Në Kosovë çdo vit pothuajse mbyllen mbi 2 mijë biznese, përderisa numri i atyre që pasivizojnë biznesin e tyre është trefish më i madh. Kështu thotë për Radio Kosovën përfaqësuesi i bizneseve, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.
Fuqia e ashpër konkurruese, mos-mbështetja financiare shtetërore, politikat e ashpra fiskale, janë disa nga shkaqet që çojnë deri te mbyllja e një biznesi. Kështu thotë për Radio Kosovën kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.
Ai thotë se në tregun e ndërmarrësisë në Kosovë, në nivel vjetor, pothuajse hapen mbi 8 mijë biznese të reja, përderisa mbyllen mbi 2 mijë të tjera, dhe shton ai se numri i atyre që pasivizojnë aktivitetin biznesor për arsye të ndryshme, është trefishi i mbylljes së bizneseve zyrtare.
“Nëse marrin një periudhë 10 vjeçare, brenda 10 vjetësh janë mbyllur mbi 60 mijë kompani në sektorë të ndryshëm. Ose, nëse merret parasysh numri i të punësuarve në ato kompani që janë më shumë se 2 apo 3 punëtorë, është numër tejet i lartë që kanë mbetur pa punë. Por, kjo nuk do të thotë që kompanitë e mbyllura nuk kanë filluar një aktivitet tjetër dhe nuk kanë punësuar punëtorë në ndonjë aktivitet tjetër. Prandaj, asnjëherë nuk mund të dimë saktë numrin e mbylljes së kompanive dhe operatorëve ekonomikë për arsye se procedurat e mbylljes janë tepër të vështira”, tha ai.
Shahini përmend edhe fakte kur kompani nga Kosova tashmë operojnë në vende të tjera me sukses, për shkak që shtetet e tjera u kanë ofruar privilegje.
“Mungesa e punëtorëve është tashmë evidente dhe mos mbështetja e institucioneve shtetërore ndaj operatorëve të ndryshëm. Ne kemi operator ekonomik që është mbyllur në Kosovë dhe është shkuar në shtete të tjera ku edhe ka bërë mrekulli atje dhe ka me qindra të punësuar për arsye të politikave të tyre zhvillimore, arsye tjetër është se shtetet e tjera bizneset i mbështesin financiarisht dhe i lirojnë nga tatimet për një kohë dhe të gjitha këto janë privilegje”, theksoi ai.
Në një publikim të fundit, Instituti GAP, theksonte se vetëm në periudhën 3 vjeçare, janë mbyllur mbi 33 mijë biznese. Sipas raportit të publikuar, shumica prej tyre kanë qenë në pronësi të burrave.