Njohësit e ekonomisë: Mundësia e migrimit do të vërehet nga janari
Gjendja e rëndë ekonomike, inflacioni i lartë dhe mos-stabiliteti politik, janë shtytës kryesorë të migrimit të qytetarëve kosovarë drejt vende të zhvilluara. Mundësia e migrimit do të vërehet më shumë, nga janari i vitit të ardhshëm, kur Kosova merr liberalizmin e vizave, thonë njohës të ekonomisë.
Ikja e qytetarëve të vendit, pas liberalizimit të vizave, do të krijoj mungesë të fuqisë punëtorë në ndërmarrjet dhe bizneset e Kosovës. Profesori universitar në Fakultetin Ekonomik, Veli Lecaj duke folur për Radio Kosovën tha se mungesa e fuqisë punëtore, do të jetë në sektor të ndryshëm.
“Migrimi i popullsisë e bënë që çmimi i fuqisë punëtore, i forcës punuese është në rritje e sipër, për shkak se rinia po migron dhe po shkon në vendet aty ku ka mundësi dhe bizneset do të kenë problem edhe më fuqinë punëtore, të cilave do lami qofshin, duke filluar nga gastronomia, prodhimi, ofruesit e shërbimeve. Pjesa dërmuese e rinisë kosovare që pak e njohin gjuhën angleze, janë të kyçur në kompani botërore dhe kryejnë shërbime prej Kosovës dhe nuk punon askush më për një rrogë 200-300 euro”, ka thënë Lecaj.
Edhe drejtoresha e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, Brikena Hoxha tha se qytetarët kryesisht të rinj, nuk po shohin perspektiv në vend.
“Vështirësitë e mëdha ekonomike, puna jo formale, rritja e inflacionit, jo stabiliteti politik që tash e shumë vite po na përcjell. Këto faktorë kanë me ndikuar shumë që punëtorët edhe kanë filluar me pas lëvizje ndër-sektoriale dhe punëtorët më nuk po shohin perspektivë”, ka thënë Hoxha.
Por, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu duke folur për Radio Kosovën tha se efektet do të jenë shumë më tepër pozitive sesa negative.
“Për Kosovën, ka qenë një ndëshkim dhe padrejtësi që është bërë. Pas fillimit të lëvizjes do të ketë një tentativë dhe një fluks për të vizituar Evropën, por efektet do të jenë shumë më tepër pozitive sesa negative. Në aspektin ekonomik, do të ketë mundësi të kontaktit dhe forcimit të partneritetit, do të ketë mundësi për transfer të teknologjisë, mundësi për arsim dhe shkëmbim të informacioneve, por në përgjithësi do të ketë mundësi për depërtim në treg”, ka thënë Gërxhaliu.
Sidoqoftë, bazuar në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga Kosova u larguan 42 mijë persona vetëm në vitin 2021.