Kurti në Greqi, merr pjesë në Forumin Ekonomik në Delphi

Kurti në Greqi, merr pjesë në Forumin Ekonomik në Delphi

Ekonomia April 28, 2023 - 13:08

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Forumin vjetor Ekonomik në Delphi, që organizohet nën patronatin e presidentes së Greqisë, Katerina Sakellaropoulou.

Në ditën e parë të pjesëmarrjes së tij, Kurti u takua me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, me të cilin u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe për zhvillimet e aktuale në Kosovë dhe rajon.

“Kurti falënderoi Lord Peachin për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të Mbretërisë së Bashkuar, që u konfirmua edhe në rastin e pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në fillim të kësaj jave.

Ata diskutuan për mbajtjen dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat ishin të qeta, paqësore dhe pa incidente”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Tutje thuhet se në takim gjithashtu u bisedua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, rëndësinë dhe urgjencën e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit të dakorduar në Bruksel, respektivisht në Ohër dhe për pritjet nga takimi i radhës i nivelit të lartë politik, që do të mbahet të martën e javës së ardhshme.

Krahas takimeve, sot në orën 17:30 kryeministri Kurti po ashtu do të jetë panelist në një diskutim në kuadër të forumit me titull “Ballkani Perëndimor në Fushën e re të Shahut të Gjeopolitikës”. /Zëri