“Kosova fle mbi thëngjill”, por importon nga jashtë
Foto:Laura Hasani

“Kosova fle mbi thëngjill”, por importon nga jashtë

Ekonomia March 30, 2023 - 21:04

“Kosova Thëngjilli”, kompania e vetme e licencuar për shitjen e thëngjillit të përpunuar në Kosovë, që nga data 1 korrik nuk është duke punuar për shkak se KEK-u nuk ia ka vazhduar kontratën. Qytetarët dhe bizneset e Kosovës, shtetit të pestë në botë me rezerva të thëngjillit, po detyrohen të blejnë thëngjill nga shtete tjera, përfshirë edhe Serbinë.

“Kosova fle mbi thëngjill”, kjo është fjalia që ka qarkulluar ndër breza.

Në realitet kjo qëndron, pasi që vendi renditet i pesti në botë për rezerva të thëngjillit.

Thëngjill me bollëk kemi, por kjo nuk po e ndalon shtrenjtimin e rrymës. Madje përpos shtrenjtimit, bizneset në Kosovë po detyrohen që edhe të blejnë thëngjill të përpunuar nga shtete tjera, përfshirë edhe Serbinë.

Rreth 6 milionë euro ishte vlera e thëngjillit të përpunuar që bizneset në Kosovë kanë importuar në vitet 2020-2021, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës.

E vetmja kompani e licencuar për shitjen e thëngjillit të përpunuar e ka ndaluar punën që nga 1 korriku i vitit të kaluar.

Kompanisë “Kosova Thëngjilli” e regjistruar si shoqëri aksionare, KEK-u pjesë e së cilës kjo ndërmarrje ishte deri në vitin 2003, nuk ia ka vazhduar kontratën.

Arsyet për të cilat Korporata Energjetike nuk e ka ripërtërirë kontratën tri-vjeçare, i tregon anëtarit i bordit të “Kosova Thëngjill-it”.

“Janë aplikimi, duhet me qenë objekti në funksion për me mund me i marrë mostrat e gjitha këto sene bëhen, por pa filluar puna nuk është e mundshme… Tani kanë qenë disa pika që me i këqyr, ne e kemi një pëlqim të ambientit me të cilin kemi punuar. Kanë qenë plani i biznesit, kanë qenë mundësia se qysh mundet me u bo zgjidhja ne e kemi bo një propozim që me bo një muaj punë, dhe me bo një provë test me e pa sa ka rritje ajo formë i trajtimit të ujërave që e bëjmë ne”, ka thënë Kushtrim Leci, Anëtar i Bordit.

Leci thotë se zvarritja e punës qe 9 muaj në kompaninë që e bënë tharjen e qymyrit të gatshëm për djegie, i ka lënë pa bukën e gojës mbi 100 familje.

“Janë 160 punëtorë të hyrat bukur të mira, si për shtetin si për kompaninë, që mbahen 160 punëtorë ruhet ambienti në thonjëza, sepse kursehet energjia, 2 MË (mega-vat) i kursen për një ton qymyr”, ka vijuar ai.

Ndërkaq sipas Lecit ishte vendosur që prapë t’i bashkohet KEK-ut, por kurrë nuk është realizuar.

Drejtori Menaxhues i kësaj ndërmarrja, thotë se KEK-u po e konsideron biznes privat, kompaninë të cilën e kishte themeluar vet në vitin 1964.

“KEK-u neve na llogarit si kompani private, mirëpo ne vazhdimisht kemi kërkuar ndihmë edhe prej ministrisë edhe Qeverisë, e vetmja ministria, Qeveria edhe SBASH-ku mundem me tejkalu këtë gjendje sepse kompania jonë është kompani fitimprurëse”, ka thënë Imri Restelica, drejtor Menaxhues.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës, RTV Dukagjini ka kërkuar të dijë se pse nuk po i vazhdohet kontrata “Kosova Thëngjill-it”.

Që nga data 26, pra para katër ditëve, nga kjo ndërmarrje nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgjigje po për pyetjet e njëjta, gjatë ditës nuk ka dhënë as Ministria e Ekonomisë.

Punëtorët e kompanisë “Kosova Thëngjill” kanë protestuar disa herë, por nuk kanë pasur sukses në kërkesat e tyre, kthimin në punë të 160 punonjësve, dhe ndalimin e importit të qymyrit të përpunuar në një vend që ka miliarda ton rezerva.

Në një vendim të vitit 2018, ishte ndaluar shitja e thëngjillit nga KEK-u, por që vitin e kaluar ky vendim ishte shfuqizuar.