Kërkohet që zyrtarët publikë që të deklarojnë pasurinë me kohë
Foto: Laura Hasani

Kërkohet që zyrtarët publikë që të deklarojnë pasurinë me kohë

Ekonomia March 30, 2023 - 17:37

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit u ka kërkuar të gjithë zyrtarëve publikë që të bëjnë deklarimin e pasurisë saktë teksa afati ligjor mbyllet nesër.

“Kanë mbetur edhe një ditë nga përfundimi i afatit ligjore për deklarimin e pasurisë, dhe deklarimin e kanë bërë gjithsej 3997 apo 77.71% , rreth 664 apo 13.59%, kanë filluar plotësimin e deklarimit të pasurisë, ndërsa deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë kanë për obligim ta bëjnë rreth 4886 zyrtarë publikë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Drejtori i Agjencisë, Yll Buleshkaj, u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve publikë që deklarimin vjetor të pasurisë ta bëjnë saktë dhe brenda afateve ligjore dhe ri-kujton masat ndëshkimore ndaj zyrtarëve publikë të cilët nuk i zbatojnë detyrimet ligjore për deklarimin e pasurisë.

“Rikujtojmë, që për vonesa deri në 15 dite, ligji parasheh shqiptimin e gjobës mandatore deri 500 euro, në rast të mos deklarimit të pasurisë, përveç gjobës, do të përgatiten edhe kallëzime penale dhe mund të dënohen me burgim deri 3 vite, ndërsa në rast të deklarimit të rremë, ndaj zyrtarëve do të përgatiten kallëzime penale dhe mund të dënohen me gjobë dhe burgim deri 5 vite” ka bërë thirrje Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj.

Deklarimi vjetor i pasurisë bëhet nëpërmjet platformës elektronike (online) përmes sistemit të Agjencisë për deklarim, DMSA (https://e-deklarimi.rks-gov.net/).

Deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë ka nisur me 01 mars dhe do të përfundoj më 31 mars 2023, sikurse është përcaktuar me Ligjin nr. 04/L-228 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik”.