Hoti: Mjetet e trustit që qytetarët kërkuan t’i tërheqin po avullohen në tregje financiare

Hoti: Mjetet e trustit që qytetarët kërkuan t’i tërheqin po avullohen në tregje financiare

Ekonomia March 21, 2023 - 18:39

Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka reaguar në lidhje me falimentimin e disa bankave në SHBA dhe Zvicër dhe efektin që kanë këto zhvillime në Kosovë.

Ish-kryeministri i Kosovës thotë se mjetet e investuara të Trustit Pensional janë pa zot pasi nuk ka bord në Fondin e Kursimeve Pensionale.

“Disa banka në ShBA kanë falimentuar. Një bankë në Zvicër është në vështirësi.

Ndërkaq, mjetet e investuara të Trustit Pensional janë pa zot. Trusti nuk ka Bord për t’i tërhequr mjetet nga tregjet dhe fondet që janë në rënie. Humbjet janë me miliona”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti thotë se mjetet e qytetarëve të Kosovës të investuara në Trust po avullohen në tregje financiare pasi sipas tij nuk ka kush t’i kthejë ato në Kosovë.

“Nuk ua dhanë një pjesë të kursimeve qytetarëve, siç u kërkua me projektligjin e iniciuar me peticion nga qytetarët. Tani ato kursime po avullohen në tregje financiare pasi nuk ka kush t’i kthejë në Kosovë për t’i mbajtur si para të gatshme”.

Deputeti i LDK-së nuk ka lënë pa kritikuar as Presidenten e vendit.

“Qeveri funksionale Kosova nuk ka. Por nuk ka as President për tu kujdesur që institucionet kushtetuese janë funksionale”, ka shkruar Hoti.