
Me vite në kërkim të punës
Me vite në dy lokacione në kryeqytet shihen punëtorë krahu që qëndrojnë me orë në rrugë për të siguruar një punë gjatë ditës. Punë të përhershme thonë se nuk kanë gjetur kurrë. Të zhgënjyer nga shteti, hezitojnë të shfaqin fytyrat e të flasin para kamerës. Thonë se nuk ia vlen.
Dita e një prej punëtorëve fizikë nis në mëngjes e përfundon në orët e vona me këtë thirrje: A keni nevojë për punëtor?
I tillë është rasti i një punëtori në Prishtinë, i cili çdo ditë kërkon që të gjejë punën e radhës, ndonëse shpeshherë nuk ka punë, por, megjithatë, thotë se i duhet të qëndrojë në rrugë me orë të tëra.
Në kushte anonimiteti ai tregon për RTK-në, vështirësitë për të gjetur një vend pune të cilën çdo ditë e kërkon tash e 20 vjet.
“Dalim qe 20 vite këtu, çdoherë bëjmë punë më të vështira, të rënda, punë krahu. Çdo qeveri nuk na ka marrë parasysh. Të gjitha shpenzimet duhet mi pagua, me hangër e me pi. Tash janë rritë edhe çmimet...”, deklaroi një punëtor krahu.
Punëkërkuesi thotë se merret me të gjitha llojet e punëve të përditshme, në mënyrë që të mbajë familjen e tij gjashtanëtarëshe. Shumë herë thotë së kishte kërkuar punë por pa sukses. Të ardhurat e vetme që thotë se ka, është nga një pension veterani.
“Kemi menduar diçka më mirë. Jo vetëm unë që kam qenë ushtar, por të gjithë kemi menduar që do ta kemi një jetë më të mirë. Por ajo nuk ndodhi", deklaroi punëkërkuesi.
Në të njëjtin vend shihen edhe dhjetëra persona të papunë.
RTK ka provuar të flasë edhe me disa punëtorë të tjerë, të cilët çdo ditë kërkojnë punë.Por shumica nga ta nuk kanë pranuar të flasin para kamerave. Por, megjithatë, prapa saj, ata kanë shprehur zhgënjimin e tyre me të gjitha institucionet?.
Në përpjekje për t’i siguruar të ardhura, shihen edhe shumë të tjerë edhe në afërsi tregut të gjelbër të Prishtinës. Punëkërkuesit këtu janë të të gjitha moshave.