Ejupi: Turizmi në Kosovë po ndryshon, tash është bërë vend atraktiv për të huajt
Foto: Laura Hasani

Ejupi: Turizmi në Kosovë po ndryshon, tash është bërë vend atraktiv për të huajt

Ekonomia March 16, 2023 - 14:58

Sot në Prishtinë është hapur edicioni i dytë i Panairit Ndërkombëtar të Turizmit, i cili ka mbledhur rreth 200 kompani e agjenci turistike vendore e ndërkombëtare.

Me këtë rast, pronari i kompanisë “Eurokoha”, Remzi Ejupi, ka thënë se turizmi në vendin ton po ndryshon çdo vit, pasi sipas tij tani Kosova është bërë një vend atraktiv që po sjell turistë të huaj çdoherë e më shumë.

“Jo vetëm Eurokoha, turizmi në gjithë botën ka çdo vjet risi të reja, në Kosovë është një risi sepse nuk është më ai turizmi klasik, dhe Kosova po sjell risi në turizëm, tanimë nuk është ai turizmi klasik ku njerëzit duan vetëm të shkojnë nga Kosova për të pushuar, por tani edhe Kosova po ofron mundësi të shumta të turizmit për njerëzit nga Evropa, por edhe e gjithë bota të cilët çdo vit e më shumë janë të interesuar për vendin tonë”, tha Ejupi për “Zeri.info”.

Ai tha se edhe këtë vit presin një shtim të turisteve nga vendet evropiane, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, ndërsa paralajmëroi se Eurokoha dhe Kosova Airlines do të nisin së shpejti një linjë të re me vendet e Lindjes.

“Sivjet presim nga muaji maj nga shteti gjerman e zviceran të kemi vizitorë sidomos në sezonin e verës, po ashtu interesim ka edhe nga shtetet e Lindjes ku besoj që shumë shpejt do të kemi linjë direkte edhe me botën arabe, të cilët kanë shprehur interesim për të vizituar Kosovën, ata janë të interesuar për vendet malore si Rugova, Prevalla, Brezovica e shumë vende të tjera”, tha ai.

Sipas tij, ka një interesim të botës arabe, por edhe Kosovës që të ketë një linjë direkte fluturime për të shkëmbyer turistë. /Zëri