Sektori privat, “i diskriminuar” nga ndihma e shtetit

Sektori privat, “i diskriminuar” nga ndihma e shtetit

Ekonomia February 01, 2023 - 09:06

“Nuk e ndiejmë që jemi shtetas të Republikës së Kosovës. Shteti po na diskriminon”, thotë Hysni Gashi, i punësuar në një kompani pastrimi në sektorin privat.

Gashi, sikurse të punësuarit tjerë në këtë sektor, nuk ka marrë ndihmën prej 50 eurosh, të ndarë nga Qeveria e Kosovës për muajin janar, me qëllim të, siç është thënë, përballimit më të lehtë të inflacionit.

Qeveria ka ndarë ndihma të ngjashme katër herë nga shtatori i vitit të kaluar, por vetëm për punonjësit e sektorit publik.

“Kjo është e padrejtë. Inflacioni na ka prekur edhe neve. Tatimin në pagë e paguajmë njëjtë si unë që punoj në sektorin privat, si ata që marrin pagë nga buxheti i shtetit”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me normë mesatare vjetore të inflacionit 11.6 për qind, krahasuar me 3.1 për qind sa ka qenë në vitin 2021.

Rritja e çmimeve ka nisur në fakt nga viti 2021, si pasojë e çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, ndërsa ka vazhduar edhe gjatë vitit 2022, sidomos pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.

Gashi thotë se në kompaninë ku punon tash e 16 vjet, paguhet rreth 300 euro në muaj dhe se nga kjo pagë varet gati e gjithë familja e tij 4-anëtarëshe.

“Nuk janë vetëm çmimet e rritura që nuk po i përballojmë, është edhe qiraja, uji, rryma. Po e kemi problem t’ia dalim. Kam pasur nevojë jo vetëm për 50 euro, por edhe për më shumë”, thotë ai.

Nga pakot mbështetëse të Qeverisë së Kosovës, punëtorët e sektorit privat me pagë mujore nën 1.000 euro kanë marrë në maj të vitit të kaluar nga 100 euro.

Paga mesatare në Kosovë, vitin e kaluar, ka qenë rreth 480 euro.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar në muajin dhjetor një raport për kushtet e jetesës në vitin 2020, në të cilin është konstatuar se 52 për qind e ekonomive familjare kanë pasur vështirësi në kryerjen e pagesave të nevojshme, ndërsa 57 për qind e ekonomive familjare nuk kanë mundur të mbulojnë me mjete vetanake një shpenzim të papritur prej 100 eurosh.

Për shkak të rritjes së inflacionit, këto shifra tani mund të jenë edhe më të larta.

Azemi: Inflacioni ka prekur më shumë sektorin privat

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, thotë se vendimi i Qeverisë për t'i ndihmuar vetëm të punësuarit në sektorin publik është i padrejtë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se sindikata ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria që të ndihmohen edhe të punësuarit në sektorin privat, por se nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Inflacioni ka prekur më shumë të punësuarit në sektorin privat, pasi që pagat janë më të ulëta. Në sektorin privat, punëtorët vazhdojnë të paguhen me pagë minimale. Janë në situatë të vështirë e të diskriminuar nga shteti”, thotë Azemi.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU