Këto janë pagat mesatare në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnjë e Mal të Zi
Foto: Ilustrim

Këto janë pagat mesatare në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnjë e Mal të Zi

Ekonomia January 23, 2023 - 10:12

Tre vjetët e fundit pagat në vendet e rajonit janë rritur me ritme shumë më të shpejta sesa në Kosovë e Shqipëri, duke thelluar diferencën mes të ardhurave që merr një punonjës në Serbi, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë, në krahasim me një shqiptar.

Agjencia e Statistikave të Kosovës i ka raportuar të dhënat deri në fund të vitit 2021, me pagën mesatare që ishte 484 euro, duke e bërë atë së bashku me Shqipërinë dy vendet që i paguajnë më pak punonjësit e tyre.

Paga mesatare bruto për këto vende luhatet midis 800-900 euro në muaj, nga rreth 520 euro që është mesatarja në Shqipëri, ose mesatarisht rreth 40% më e lartë

Monitor ka përpunuar të dhënat zyrtare të instituteve statistikore të Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, dhe Bosnjë e Hercegovinës për pagat mesatare mujore bruto, të cilat janë të disponueshme deri në shtator të vitit 2022. Ndërsa Kosova, të dhënën e fundit të disponueshme ka fundin e 2021-shit.

Kjo pagë është krahasuar në vlerë nominale (e paindeksuar me inflacionin) me tremujorin e tretë 2019, përpara fillimit të pandemisë.

Mali i Zi ka pagën e dytë mesatare më të lartë në rajon, me 885 euro në muaj në fund të tremujorit të tretë 2022, ndonëse diferenca me vendet e tjera është ngushtuar, për shkak të rritjes më të ngadaltë (me rreth 14% nga shtatori 2019), sipas Zyrës së Statistikave të Malit të Zi.

Serbia është vendi i rajonit që i ka rritur më shumë pagat gjatë kësaj periudhe, me 39%, duke i çuar 880 euro në fund të shtatorit 2022, sipas Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë.

Në Maqedoninë e Veriut, një punonjës paguhet mesatarisht gati 780 euro, ose 29% më shumë sesa në shtator 2019, raporton zyra e Statistikave të Maqedonisë së Veriut.

Rritje e lartë e pagave është shënuar dhe në Bosnjë e Hercegovinë, duke arritur në 893 euro, më e larta në rajon, me zgjerim 24% nga tremujori i tretë 2019, sipas Agjencisë së Statistikave të Bosnjë Hercegovinës.

Në Shqipëri, paga mesatare e një punonjësi ishte 522 euro në shtator 2022, nga 440 tre vjet më parë, me një rritje prej rreth 19%, sipas INSTAT. (shiko grafikun: Paga mesatare mujore bruto në rajon – euro).