Inflacioni në ushqim shkoi “në qiell” në vitin 2022
Foto: Laura Hasani / Ilustrim

Inflacioni në ushqim shkoi “në qiell” në vitin 2022

Ekonomia January 23, 2023 - 08:03

Inflacioni vjetor më 2022 arriti në 11.6%, por nëse llogariten vetëm ushqimet, kjo shifër po del goxha më e lartë.

Raporti i fundit i Bankës Botërore e nxjerr Kosovën me normë vjetore të inflacionit në ushqim 17.5%. Sipas këtyre të dhënave, shtrenjtimit më së shumti u vërejtën në korrik dhe tetor.

Megjithatë, ky trend pritet të zbehet këtë vit. Por ky institucion e ngjall optimizmin me parashikimet për rritjen ekonomike, pasi e rendit Kosovën në rajon, që mund të shkojë në 3.7% më 2023 dhe 4.2% më 2024.

Sipas ekonomistit Sead Ujkani, rritja ekonomike këtë vit varet nga zhvillimet globale në ekonomi, por edhe nga politikat qeveritare për prodhimin vendor dhe rritjen e fuqisë blerëse përmes rritjes së pagave.

Sipas tij, përparësi e Kosovës në raport me vendet tjera të rajonit janë remitencat.

Pak a shumë, për rritjen ekonomike njësoj kanë projektuar edhe Banka Qendrore e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.