Memli Krasniqi fton qytetarët të blejnë sa më shumë prodhime vendore

Memli Krasniqi fton qytetarët të blejnë sa më shumë prodhime vendore

Ekonomia December 08, 2022 - 16:02

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur në takim delegacionit e grupit “Besa-Besë” në krye me udhëheqësin e saj, Burim Piraj.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se në këtë takim kanë diskutuar për domosdoshmërinë e vetëdijesimit të qytetarëve për konsumimin e prodhimeve vendore dhe nevojën e ofrimit të mbështetjes institucionale për bizneset vendore.

“Bashkë diskutuam për domosdoshmërinë e vetëdijesimit edhe më të madh të qytetarëve për konsumimin e prodhimeve vendore, për bojkotimin e produkteve të Serbisë dhe nevojën e ofrimit të mbështetjes institucionale për bizneset vendore, veçanërisht në këtë periudhë të krizës ekonomike dhe energjetike. Është shqetësuese që këtë vit, derisa prodhuesit tanë po ballafaqohen me sfida të ndryshme, importi i mallrave nga Serbia pritet të kaloj një shifër rekorde, mbi 500 milionë euro”, shkruan kreu i PDK-së.

Krasniqi ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të solidarizohen me prodhuesit vendor dhe të blejnë sa më shumë produktet e tyre cilësore.

“Me Burimin u dakorduam se përveç thelbësore, sot është edhe patriotizëm për secilin qytetar që konsumon prodhime vendore, si ndihmë tejet e rëndësishme për prodhuesit tanë. Mysafirët i sigurova që PDK, si lidere e opozitës në vend, do të vazhdoj të angazhohet për krijim të kushteve të favorshme për bizneset, në mënyrë të veçantë për prodhuesit e palodhshëm të vendit tonë. Produktet e prodhuesve tanë janë më të mirat. Andaj, në këtë fundvit dhe në prag të festave, ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të solidarizohen me prodhuesit vendor dhe të blejnë sa më shumë produktet e tyre cilësore!”, shkruan ai.