Tensionet në Hoçë të Madhe, Stavileci flet për aksionin e Doganës

Tensionet në Hoçë të Madhe, Stavileci flet për aksionin e Doganës

Ekonomia December 08, 2022 - 15:14

Dogana e Kosovës në asistim me Policinë e Kosovës janë në përfundim të sekuestrimit të pijeve alkoolike në Hoçë të Madhe, pasi prodhimi dhe shitja e tyre nuk është bërë duke i respektuar ligjet përkatëse.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci në një prononcim për telegrafin ka konfirmuar se sekuestrimi i pijeve alkoolike është në përfundim.

Ai tha se ka pasur pakënaqësi nga banorët për veprimet e Doganës së Kosovës, por siç tha ai për shkak të një sasia të madhe të pijeve alkoolike është zgjatur pak procedura e sekuestrimit.

“Është gati në përfundim, pasi ka pas sasi të madhe. Kryesisht ka pasur pakënaqësi, por që ishin të menaxhueshme”, ka thënë Stavileci.

Ndryshe, Dogana e Kosovës të enjten ka realizuar një kontroll rutinore tek një dyqan ku shiten pije alkoolike në fshatin Hoçë e Madhe (Komuna e Rahovecit), dhe pas të gjeturave dogana ka kërkuar asistencën e Policisë së Kosovës për sekuestrimin e alkoolit.

Lajmin për telegrafin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi.

Sipas tij, zyrtarët policorë janë duke vazhduar të asistojnë Doganën e Kosovës deri në sekuestrimin e alkoolit në fjalë.

“Dogana e Kosovës pasi kishte gjetur në fshatin Hoçë e Madhe, në një dyqan dhe veprimtari prodhuese alkool i cili ishte duke prodhuar dhe shitur duke mos respektuar ligjet përkatës, ka kërkuar asistencë nga Drejtoria Rajonale e Policisë-Gjakovë për sekuestrimin e alkoolit të gjetur. Zyrtarët policorë nga DRP-Gjakovë janë duke vazhduar të asistojnë Doganën e Kosovës deri në sekuestrimin e alkoolit në fjalë”, ka bërë të ditur Elezi.