Mungesa e shkritores pamundëson mega-fitimet e “Trepçës”

Mungesa e shkritores pamundëson mega-fitimet e “Trepçës”

Ekonomia November 14, 2022 - 23:12

Rreth 1.2 milion euro është fitimi mujor i “Trepçës” nga produkti që e nxjerr prej minierës.

Por kjo shifër do të ishte shumëfish më e lartë nëse xehet do të shiteshin të ndara, e jo si koncentrat.

Ky proces i komplikuar nuk bëhet në Kosovë, në mungesë të shkritores funksionale. Sipas drejtorit të minierës në Stantërg, Behxhet Vinarci, kjo do të ishte në interes të “Trepçës”, pasi shitja e produkteve të pastra do të thoshte fitime te jashtëzakonshme për ndërmarrjen dhe gjithë shtetin, njofton Klan Kosova.

Minatori Gani Osmani thotë se “Trepça” punon me fitime minimale, për dallim nga koha kur shkriheshin xehet në Zveçan. Sipas tij, tash nxirret vetëm fitimi i pagave për punëtorët, ndërsa në ditët e arta të “Trepçës”, veç plumbit e zinkut, argjendi nxirrej me tonelata, kurse ari me kilogramë.

Qe nga shtatori, në minierën e Stantërgut janë nxjerrë mbi 34 mijë tonë nga nëntoka, teksa mesatarja mujore është një mijë tonë koncentrat, të cilin e blen një kompani britanike.

Drejtori, Behxhet Vinarci, thotë se çmimet e mineraleve janë stabile, prandaj gjiganti minerar do të mund të përfitonte shumë nga shitjet.

Qeveria e ka shprehur aspiratën për rimëkëmbje të “Trepçës”, por nuk e ka përmendur specifikisht funksionalizimin e shkritores, që do të ishte investim shumëmilionësh.