Kryeministri Kurti në Austri e prezanton Kosovën si qendër për investitorë potencialë

Kryeministri Kurti në Austri e prezanton Kosovën si qendër për investitorë potencialë

Ekonomia November 14, 2022 - 18:14

Në kuadër të pjesëmarrjes së tij si folës kryesor në Forumin Ekonomik të Vjenës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati takime të ndara me Drejtorin e Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë, njëherit anëtar i Bordit të Postës së Austrisë, Peter Umundum, Kryeshefin Ekzekutiv të Raiffeisenbank International, Johann Strobl, Presidentin e Industriellenvereinigung (IV), Georg Knill, si dhe Kryeshefin Ekzekutiv të Kapsch AG, Georg Kapsch.

“Zhvillimi i sektorit postar në Koseovë ishte në qendër të takimit të Kryeministrit Kurti me z.Peter Umundum, Drejtor i Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë dhe anëtar i Bordit të Postës së Austrisë. U theksua angazhimi drejt modernizimit të shërbimeve si dhe mundësitë për bashkëpunimin në fushën e digjitalizimit dhe shërbimeve elektronike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti po ashtu ka zhvilluar edhe takime të tjera në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës.

“Me Presidentin e Industriellenvereinigung (IV), Georg Knill, Kryeministri Kurti foli për mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë të industrisë austriake me atë të Kosovës, si dhe potencialin e mërgatës, si urë lidhëse mes të dyja vendeve. Duke folur për mundësitë për investime në Kosovë, në takimet e ndara me Kryeshefin Ekzekutiv të Raiffeisenbank International, Johann Strobl, si dhe Kryeshefin Ekzekutiv të Kapsch AG, Georg Kapsch, Kryeministri Kurti theksoi se krahas pozitës gjeografike dhe stabilitetit institucional, Republika e Kosovës ofron mjedis të favorshëm për investime. Ai veçoi rritjen ekonomike, borxhin e ulët publik, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, si dhe politikën stabile fiskale”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në këto takime u theksuan arsyet e qëndrueshme për investime në Kosovë, si dhe mundësitë për rritje të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, veçanërisht për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe financave. /Zeri.info

Image

Image

Image

Image

Image