Ministria e Ekonomisë paralajmëron aksione për t’i ndalur vjedhjet e rrymës
Foto:Laura Hasani

Ministria e Ekonomisë paralajmëron aksione për t’i ndalur vjedhjet e rrymës

Ekonomia November 14, 2022 - 17:05

Ministria e Ekonomisë, ka reaguar pas njoftimeve të vazhdueshme për vjedhjet e energjisë elektrike.

Në njoftimin në llogarinë e ME-së në Facebook, thuhet se kostot e vjedhjeve i kushtojnë shtetit e qytetarëve miliona euro në vit.

“Kostot e vjedhjes së energjisë elektrike i kushtojnë Republikës e qytetarëve të Kosovës miliona euro në vit. Humbjet Komerciale apo vjedhjet e energjisë elektrike vetëm për vitin 2021, arrijnë shifra aq të larta sa dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë për t’i mbuluar ato”.

Tutje tha se këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale, por janë një kosto e papërballueshme për qytetarët e vendit të cilët i paguajnë këto kosto në fatura.

“Ministria e Ekonomisë është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse të furnizimit të cilët janë duke organizuar aksione të vazhdueshme me institucionet e rendit për t’i ndalur vjedhjet e energjisë elektrike”.

“Veçanërisht në kohë krize, është kritike që të jemi të ndërgjegjshëm ndaj njëri-tjetrit e ndaj vendit tonë për të lehtësuar përballjen me pasojat negative”.

“Ta mbrojmë vendin e njëri-tjetrin”, thuhet në njoftim.