BERZH-i nuk e ndryshon parashikimin e rritjes ekonomike për Kosovën

BERZH-i nuk e ndryshon parashikimin e rritjes ekonomike për Kosovën

Ekonomia September 28, 2022 - 11:39

Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto [PBB] të Kosovës u ul nga rritja e fortë prej 10.5 për qind në vitin 2021 në 4.9 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022, teksa vendi po tenton të rikthehet nga goditja e pandemisë.

Kështu thotë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim [BERZH] në edicionin e shtatorit të raportit të tij rajonal të perspektivave ekonomike.

Në raportin e publikuar të mërkurën, Banka tha se pret që PBB-ja të rritet me 4% në vitin 2022, duke e mbajtur të pandryshuar parashikimin e majit.

Rritja ekonomike e Kosovës shihet duke u ngadalësuar në 3,7% në vitin 2023, tha BERZH-i në edicionin e shtatorit të raportit të tij rajonal të perspektivave ekonomike.

Banka thotë se konsumi i familjeve vazhdoi të udhëheqë rritjen, e mbështetur nga një fluks i qëndrueshëm i remitencave, ndërsa investimet bruto mbetën të forta, të ndihmuara nga një rritje e fortë e kredisë, e cila arriti në 18 për qind nga viti në vit në korrik 2022.

Në raport thuhet se SHBA-ja, nga viti 2021, është kthyer në tregun më të madh të eksportit të Kosovës. Kosova në SHBA eksporton mobilie, thotë BERZH-i.

Më tej theksohet se inflacioni arriti në 14,2 për qind në korrik 2022, kryesisht si rezultat i çmimeve më të larta të ushqimit dhe naftës.

“Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura të inflacionit dhe sigurisë ushqimore, autoritetet prezantuan një ndalim eksporti për produkte të caktuara bujqësore, ndanë subvencione bujqësore, futën shpërblime të pagave në sektorin publik, miratuan rritje të përkohshme të pagesave për skemat sociale dhe pensioneve dhe vendosën çmimin tavan të karburanteve”, thuhet në këtë raport.

Furnizimet më të ulëta të gazit nga Rusia dhe rritja e inflacionit në një nivel global pritet të ngadalësojnë rritjen e mëtejshme ekonomike në vitin 2023 në rajonet ku punon BERZH-i, tha Banka.

Ndërkaq, BERZH-i parashikon rritje ekonomike prej 3,2% në vitin 2022 dhe 3% në vitin 2023 për rajonin e Ballkanit Perëndimor. /Zëri