FMN-ja përgëzon BQK-në për ruajtjen e stabilitetit financiar

FMN-ja përgëzon BQK-në për ruajtjen e stabilitetit financiar

Ekonomia September 21, 2022 - 09:52

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti ka pritur në takim drejtues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i udhëhequr nga zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li.

Përmes një komunikate nga BQK-ja, thuhet se guvernatori Mehmeti informoi zëvendësdrejtorin e FMN-së, Li, dhe përfaqësuesit e FMN-së për performancën e mirë të sektorit financiar në Kosovë, e në veçanti atij bankar dhe potencoi rëndësinë e këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit.

“Guvernatori Mehmeti po ashtu shpalosi pikëpamjet e Bankës Qendrore lidhur me zhvillimet makroekonomike në vend, si dhe rolin e sektorit financiar si kontribuues kyç në financimin e ekonomisë. Guvernatori Mehmeti falënderoi z. Linë dhe shprehu vlerësimin më të lartë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar për përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Kosovës, në përgjithësi dhe të BQK-së në veçanti, përmes ofrimit të asistencave teknike dhe ngritjen e kapaciteteve të BQK-së, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të institucionit”, thuhet në komunikatë.

Në të njëjtën kohë, Mehmeti shprehu përkushtimin e BQK-së për të qenë partner i besueshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe vazhdimin e bashkëpunimit në të gjitha aspektet.

Po ashtu thuhet se zëvendësdrejtori menaxhues Bo Li përgëzoi guvernatorin Mehmeti për ruajtjen e stabilitetit financiar në këtë kohë jo të favorshme ekonomike dhe theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve mbikëqyrëse për fuqizimin e sektorit financiar.

Gjithashtu Li riafirmoi zotimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për përkrahje të mëtejme dhe kërkoi që të mirëmbahet dhe ruhet pavarësia e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. /Zëri