Fillojnë pagesat për përfituesit e subvencioneve në bujqësi

Fillojnë pagesat për përfituesit e subvencioneve në bujqësi

Ekonomia August 16, 2022 - 11:05

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se ka filluar procedimi i pagesave për përfituesit e subvencioneve në kuadër të Programit për Pagesa Direkte 2022 për çdo kulturë bujqësore.

Sipas kësaj ministrie, vlera e proceduar për pagesë është 5,161,966.81 €, ndërsa numri i bujqve që do t’i përfitojnë këto mjete deri më tani është 3,901, raporton Zeri.info.

Ministria bën të ditur se, meqenëse afati për sasinë e dorëzuar të grurit është data 2 shtator, edhe pagesën për sasinë e dorëzuar të grurit në vlerën 0.03 €/kg MBPZHR – AZHB do ta bëjë pas kësaj date.

Kjo do të bëhet si pagesë e veçantë për të gjithë aplikuesit e grurit që dëshmojnë sasinë e dorëzuar të grurit duke u bazuar në kriteret e parapara.

“Dëshmia për sasinë e dorëzuar të grurit dorëzohet në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në Komunat përkatëse deri më 02 shtator 2022 në ora 16:00”, thuhet në komunikatë.

MBPZHR-ja thekson se në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2022 kanë aplikuar 28,834 fermerë, ndërsa ju njoftojmë se Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë po vazhdon shtypjen e vendimeve, proces ky të cilin do ta realizojnë deri në përfundimin e pagesave për të gjithë përfituesit. /Zëri