Kosova arrin t’i shpëtojë miliona euro nga Arbitrazhi, por janë edhe katër raste që presin epilog

Kosova arrin t’i shpëtojë miliona euro nga Arbitrazhi, por janë edhe katër raste që presin epilog

Ekonomia August 13, 2022 - 09:01

Miliona euro janë shpëtuar pa u derdhur nga kuleta e shtetit, pasi Kosova ka dalë fituese në një rast për të cilin ishte paditur në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Bëhet fjalë për kontestin, ku ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Selmani e kishte dërguar shtetin në arbitrazh, lidhur me pronën e “Auto Prishtina” dhe “Hotel Victory”, të cilën e kishte mbajtur të uzurpuar për disa vite me radhë, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse njëri rast mori epilog gjyqësor, Kosova është duke u ballafaquar edhe me katër raste të tjera aktive, për të cilat është dërguar në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Në një përgjigje me shkrim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, konfirmojnë për Ekonomia Online, se krahas këtij rasti, edhe katër të tilla presin epilog gjyqësor, në të cilën Kosova synon t’i fitojë.

“Republikën e Kosovës, në Arbitrazhin Ndërkombëtar e kanë paditur pesë kompani. Në proces janë 5 lëndë, njëra prej tyre tani në muajin gusht ka përfunduar dhe të njëjtën e kemi fituar. Në lëndët që përfaqëson Avokatura Shtetërore, nuk ka raste ku është paditëse si në Arbitrazhin Ndërkombëtar apo vendor”, thuhet në përgjigjen e MD-së për EO.

E për gjitha këto, avokati i njohur, Florin Lata, thotë për Ekonomia Online, se fajtore për dërgimin e shtetit në arbitrazh është administrata shtetërore. Me këtë rast, ai thotë se problematikë e madhe është shuma e lartë mjeteve që e obligon Qeverinë në rastet kur e humb Kosova.

“Kompanitë të cilat vijnë për të investuar në Kosovë marrin masa paraprakisht që të analizojnë strukturën ligjore në Kosovë dhe çdo hap të cilin e bëjnë, e bëjnë në konsultim me avokatët dhe konsulencën e tyre ligjore ndërsa fatkeqësisht Qeveria e Kosovës në shumicën e rasteve nuk e ka këshillin e duhur ligjor profesional adekuat. Në disa raste të tjera organet e administratës bëjnë shkelje të ligjit nganjëherë me vetëdije e nganjëherë edhe pavetëdije të cilat shkelje ligjore afektojnë në kontrata dhe në ato raste kompanitë kanë të drejtë plotësisht qe të iniciojnë procedurën e arbitrazhit. Problematikë që bie në sy janë rastet e arbitrazhit dhe shuma të cilat Tribunali i Arbitrazhit i ndan apo obligon Qeverinë janë të larta mirëpo raste të tilla ka shpesh edhe në gjykatat vendore pasi shkeljet e tilla më të shpeshta dhe në mënyrë të vazhdueshme u bëhen kompanive kosovare”, thotë Lata.

Por Gjykata Komerciale thotë se do të kryejë goxha punë, pasi thotë se niveli i gjyqtarëve është i një niveli të lartë profesional. Lata thotë se kompanitë vendore pa pasur nevojë t’i drejtohen arbitrazhit, do ta kenë Gjykatën Komerciale.

“Besoj që edhe bizneset kosovare të marrin të drejtën në afat sa më të shpejtë dhe në mënyrë profesionale. Shumë shpejtë bizneset kosovare do të marrin kompensimin nga Qeveria pa pas nevojë për arbitrazhe dhe në të njëjtë shumë do t’i akordohet sepse këtu flasim për cenim të drejtave në mënyrë të vazhdueshme. Bizneseve në Kosovë u bëhet padrejtësi shumë dhe fatkeqësisht ata për të arritur deri tek një e drejt e tyre është dashtë me prit për shumë vite. Ndërsa tash me Gjykatën Komerciale është themelu një departament i cili i trajton rastet e bizneseve të cilat i kanë kundër administratës shtetërore”, potencoi avokati Lata.