BSH: Rritja ekonomike në Shqipëri do ngadalësohet nga energjia dhe importet

BSH: Rritja ekonomike në Shqipëri do ngadalësohet nga energjia dhe importet

Ekonomia August 11, 2022 - 15:13

Zhvillimi ekonomik nuk do të ndalet nga kriza, edhe pse motorët e ekonomisë do të punojnë me një marsh më të ulët. Pas rritjes me 6 për qind në fillim të vitit, Banka e Shqipërisë bën projeksionin për ekonominë shqiptare, për një ngadalësim të lehtë, por duke qëndruar në territor pozitiv.

Faktorët pengues janë pasiguritë që ka shkaktuar konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë, së bashku me faturën e shtrenjtuar për importet e mallrave dhe veçanërisht të energjisë. Këto janë frenat e një ekonomie që në fillim të luftës gjendej në një moment shumë pozitiv me rritje të fortë të eksporteve dhe bilance të shëndetshme të bizneseve dhe familjeve.Këto bilance janë sforcuar në këtë moment, prej inflacionit, por konsumi ka vazhduar rritjen, ndërsa investimet private janë ende të larta, kryesisht falë sektorit të ndërtimit, që do të vazhdojë të mbajë peshën kryesore të rritjes.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e çmimeve do të kulmojë gjatë pjesës së mbetur të këtij viti, më pas presionet nga jashtë, veçanërisht tek ushqimet dhe energjia, do të zbuten ndjeshëm. /A2