OEK-ja nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Odën Ekonomike Kosovë-Izrael

OEK-ja nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Odën Ekonomike Kosovë-Izrael

Ekonomia August 10, 2022 - 10:44

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, gjatë ditës së djeshme ka nënshkruar Memorandum bashkëpunimi me kryetarin e Odës Ekonomike Kosovë-Izrael, Robert Muharremi, në selinë e OEK-ut.

Sipas njoftimit thuhet se, marrëveshja parasheh bashkëpunimin e dy odave në projekte të ndryshme si dhe angazhimin e përbashkët në afrimin e bizneseve të dy vendeve, raporton Zeri.info.

“Marrëveshja parasheh harmonizim të projekteve mes dy odave si dhe bashkërendim të aktiviteteve. E tërë kjo bëhet me qëllim që bizneset e dy vendeve tona të afrohen me njëra tjetrën dhe të inkurajohet bashkëpunimi i dy ekonomive“, ka thënë Rafuna para nënshkrimit të Marrëveshjes.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së bashkëpunimit ishin prezent edhe Skender Hyseni, Kryetar i Asamblesë së Odës Ekonomike Kosovë-Izrael, si dhe ambasadorja e Izraelit për Kosovën, Tammy Ziv.

Ziv, Hyseni si dhe Muharremi u shprehën të gëzuar për hapat e ndërmarrë për të inkurajuar thellimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Izraelit dhe u zotuan se do të angazhohen për të sjellë në Kosovë investitorë nga Izraeli. /Zëri