Ministri Murati: Ka abuzime me produktet bazë, përmes ligjit do të lehtësohet jeta qytetarëve
Foto: Laura Hasani

Ministri Murati: Ka abuzime me produktet bazë, përmes ligjit do të lehtësohet jeta qytetarëve

Ekonomia July 21, 2022 - 20:30

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ka abuzime të shumta me produktet bazë në Kosovë.

Ai në Kuvendin e Kosovës, tha se përmes ligjit për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore do të lehtësohet jeta e qytetarëve.

“Ka abuzime produktet bazë. Qytetarët duhet të kuptojnë se ky ligj është i domosdoshëm, për faktin e vetëm se rezultatin është parë me çmimet e naftës dhe benzinës. Tani ka një kontroll, ka një marzhë fitimi për kompanitë, megjithatë po funksionon. Do të funksionojë edhe për produktet e tjera bazë, efekti i vetëm i saj do të jetë që jeta për qytetarët do të jetë më e lehtë”, tha ai.

Mirëpo, atij i reagoi shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili i kërkoi ta lexojë Kushtetutën, për siç tha, të shohë budallaçkat që i bën në vazhdimësi.

“Kushtetuta e Kosovës, përveç nenit 10 e ka një kapitull të veçantë që është kapitulli 9, rregullon marrëdhëniet ekonomike në Kosovë. Meqenëse ministri nuk e dinë këtë punë po ia tregoj, lexo nenin nëntë dhe i sheh aty të gjitha budallaçkat që i bën ti në vazhdimësi”, tha ai.