Ministri Peci: Mbështetja financiare institucionale, vetëm te bujqit realë

Ministri Peci: Mbështetja financiare institucionale, vetëm te bujqit realë

Ekonomia July 06, 2022 - 15:00

Për të përfituar subvencione nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, aplikuesit, krahas kontrollit administrativ, inspektohen edhe në terren nga inspektorët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. E ekipit të inspektimit në terren sot i është bashkëngjitur edhe ministri Faton Peci, për të parë nga afër procesin e monitorimit e kontrollit, si dhe për t’u siguruar se mbështetja financiare po shkon në vendin e duhur.

“Në Komunën e Obiliqit vizitova bujkun Berat Mehmeti, kultivues i grurit, ku pashë se dokumentacioni i dorëzuar gjatë aplikimit për Pagesa Direkte 2022, korrespondonte me gjendjen në teren. Me këtë rast, ky bujk më tregoi se është optimist sa i përket rendimentit ku pret të korrë rreth 6 tonë grurë për hektarë”, tregoi ministri Peci, raporton Zeri.info.

Duke i uruar punë të mbarë e bereqet në korrjet e sivjetshme, ministri e siguroi se mbështetja institucionale nuk do t’i mungojë asnjë bujku, përderisa çdo bujk është korrekt dhe respekton ligjin.

Ndryshe, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022, numri i aplikimeve në të gjitha kulturat dhe aktivitetet bujqësore e blegtorale që mbështeten përmes këtij programi arrin në 50836 aplikime, me gjithsej 28,834 aplikues. Ndërkaq, inspektimet në terren realizohen bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2022 për Pagesa Direkte. /Zëri