Marrëveshja mbi 230 milionë euro, delegacioni kosovar dhe ai amerikan i MCC-së takohen sot

Marrëveshja mbi 230 milionë euro, delegacioni kosovar dhe ai amerikan i MCC-së takohen sot

Ekonomia July 05, 2022 - 08:23

Sot, duke filluar nga ora 09:00 deri në 11:30, do të mbahet takimi në mes të delegacionit amerikan të MCC-së dhe atij të Republikës së Kosovës.

Ky takim vjen pasi Bordi i drejtorëve të Korporatës së Mijëvjeçarit (MCC) ka aprovuar marrëveshjen e kompaktit për Kosovën në vlerë prej 236.7 milionë eurove.

Në fillim të takimit (20-30 minuta) do të ketë fjalë rasti nga drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead dhe ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli.

Pas aprovimit unanim të Programit Kompakt të Kosovës nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së, një delegacion teknik amerikan ka ardhur për vizitë pune në Kosovë. Qëllimi i vizitës është fillimi i punës në dizajnimin dhe implementimin e projektit të sistemeve akumuluese, si dhe mbajtja e takimeve koordinuese me institucionet hisedare në projektin e kapaciteteve akumuluese të energjisë.

“Pika e parë e vizitës 10-ditëshe do të jetë takimi ndërinstitucional në mes të delegacionit amerikan dhe hisedarëve të energjisë në Kosovë, ku bëjnë pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT-it, KEDS-it, ZRrE-së, KEK-ut, si dhe pjesëtarët e Ekipit për Zhvillimin e Programit Kompakt, të cilët funksionojnë në Zyrën e Kryeministrit. Gjatë takimit do të diskutohen detajet teknike të projektit dhe planet e ardhshme për të përshpejtuar procesin e zbatimit” thuhet në kumtesën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit.