LVV-ja, kundër një tërheqjeje tjetër nga Trusti

LVV-ja, kundër një tërheqjeje tjetër nga Trusti

Ekonomia March 21, 2022 - 13:03

Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta përkrahë iniciativën e PDK-së për t’i lejuar qytetarët për një tërheqje tjetër nga Trusti.

Vetëvendosja nuk do ta përkrahë këtë ide, pasi sipas tyre kjo rrezikon që pas disa vitesh qytetarët që mbushin 65 vjeç të përballen me probleme të kursimeve të tyre në Trust, transmeton Zeri.info.

Qëndrimin e LVV-së e ka bërë të ditur sot shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se iniciativa e PDK-së nuk e ka mbështetjen e tyre.

“Nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë, sepse koncepti i Trustit dhe dizajnimi i Fondit të Kursimeve Pensionale ka të bëjë me ruajtjen e mirëqenies së qytetarëve pas moshës 65-vjeçare, kur ata përfundojnë kontributin e tyre për Fondin Pensional”, tha Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë.

Ajo tha se me opozitën do të diskutojnë modalitete të tjera për t’u dalë në ndihmë qytetarëve në këtë krizë, por jo tërheqje nga Trusti.

“Ajo çka mbetet që ne të diskutojmë me opozitën janë modalitetet e tjera të ndihmës për qytetarët, natyrisht që Qeveria në përgjithësi nuk ka hezituar t’i prezantojë. Ne jemi të vetishëm që ballafaqohemi me një ekonomi të ndjeshme ndaj rritjes së çmimeve. Ka forma të tjera që Qeveria do t’i prezantojë, me të cilat do të gjejnë mënyra”, tha ajo.

Kusari –Lila kritikoi PDK-në, që sipas saj ideja e tërheqjes nga Trusti tregon konceptin e PDK-së “të hahet e ardhmja për të tashmen”, transmeton Zeri.info.

“Nuk është ideja që në shpenzim të diçka që mund të rrezikojmë në të ardhmen të fokusohemi në nxirrje të mjeteve të sotme. Ka forma të tjera që Qeveria do t’i prezantojë për të kaluar sadopak këtë krizë.

Kjo formë e shpejtë ose mënyrë që PDK-ja i rikthehet kësaj ideje nuk tregon më shumë sesa një koncept që hahet e ardhmja në dobi të sotme, që ka qenë koncept i qeverisjes së PDK-së në të kaluarën, me pasoja të cilat po ballafaqohemi.

Nuk duam që qytetarët tanë që mbushin 65 vjeç të përballen me pasoja pas disa vitesh për vendimet që mund t’i marrim sot”, shtoi Kusari-Lila.

Ndryshe, PDK-ja ka propozuar që qytetarëve t’u lejohet një tërheqje tjetër prej 30% nga Trusti për të kaluar më lehtë krizën e rritjes së çmimeve. /Zëri