Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë ka vërejtje ndaj propozimit të ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës
Foto: Zëri

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë ka vërejtje ndaj propozimit të ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës

Ekonomia January 28, 2022 - 19:14

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) e ka vënë në konsultim publik Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të rritjes së tarifave të energjisë elektrike.

Deri më tani, komente, mes tjerësh, ka dërguar edhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë (SKE) në Vjenë, i cili, ndonëse e ka mbështetur iniciativën, pati disa vërejtje.

Ndërsa ka mbështetur “plotësisht futjen e ‘bllok-tarifës’ si një masë për të stimuluar kursimet e energjisë elektrike dhe për të ngarkuar më shumë energjinë elektrike të konsumuar mbi një kufi të caktuar”, SKE-ja ka pasur kritika ndaj pragut 600 kWh, raporton Zeri.info.

Ky sekretariat ka kërkuar që pragu të rritet, ndërsa ka propozuar që tarifa e energjisë elektrike të rritet për 5% edhe për konsumatorët që shpenzojnë deri në këtë prag (aktual apo të ri).

“Struktura tarifore e amvisërive e propozuar nga ZRRE-ja, duke marrë parasysh subvencionin, nënkupton rritje të tarifave për konsum mbi 600 kWh (bllok) dhe pa rritje deri në këtë prag. Rekomandojmë që pragu të rritet pak, ndërsa kjo kompensohet me një rritje ekuivalente (deri në 5%) për energjinë elektrike të konsumuar deri në këtë prag. Përfitimi është se edhe ata që konsumojnë nën pragun do të pësonin një rritje të vogël, e cila është reflektim i rritjes së kostove të furnizimit”, thuhet ndër të tjera në komentet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Ndërkaq, SKE-ja pati vërejtje edhe në pikën ku ZRRE-ja propozoi që tarifat të mos rriten as për biznese dhe industri. Në komentet e veta, SKE-ja ka kërkuar që tarifat të rriten edhe për këto dy kategori, pasi thotë se kjo do të kontribuonte në zbutjen e mëtejshme të rritjes së ndjeshme të tarifave për konsumatorët që konsumojnë më shumë se pragu i përcaktuar (blloku).

“Propozimi për të mbajtur të paprekura tarifat për konsumatorët komercialë (bizneset dhe industria) duket se është në kundërshtim me parimin e reflektimit të kostos. Ne e kuptojmë se tarifat ekzistuese për bizneset janë më të larta se ato familjare, por një rritje lineare e tarifave për konsumatorët komercialë do të lehtësonte hapjen e tregut në të ardhmen. Rritja e tarifave për këtë kategori do të kontribuonte në zbutjen e mëtejshme të rritjes së ndjeshme për konsumatorët që konsumojnë më shumë se pragu i përcaktuar (blloku)”, thekson SKE-ja, raporton Zeri.info.

Deri më tani, qeveria e Kosovës ende nuk ka dërguar komente te ZRRE-ja. /Zëri